17:39 / E Martë, 09 Prill 2019 / indeksADMonline

Shumë marramendëse, ja sa para dyshohet se janë vjedhur në aeroportin shqiptar

Fillimisht u raportua se shuma e grabitur në Rinas ishte 2 milionë euro, por së fundmi mësohet se bëhen fjalë për një sasi shumë të mëdha parash, e cila dyshohet të jetë rreth 10 milionë euro.

Në momentin kur ndodhi grabita në pistën e Rinasit gjendeshin makinat e disa kompanive private që kishin dërguar para për t’i nisur me avion jashtë shtetit.

Albeu.com mëson se paratë u grabitën sapo kishin zbritur nga avioni i linjës Vjenë-Tiranë.

Mësohet se grabitësit ishin veshur me rroba ushtarake dhe u futën në pistën e Rinasit me një makinë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Ata përplasen blindin duke shkaktuar edhe një shkëmbim zjarri, nga i cili mbeti i vdekur edhe njëri prej autorëve.

Më pas tre autorët e tjerë u larguan nga vendi i ngjarjes duke djegur më pas makinën në zonën e Fushë-Krujës.

Reagimi i policisë

Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.