08:35 / E Enjte, 30 Gusht 2018 / indeksADMonline

Shumë mësimdhënës nuk shkojnë në punë, shkak renovimi i shkollave

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, që u ka dërguar drejtorëve të shkollave fillore në kryeqytet, ka obliguar të gjithë punonjësit arsimor të paraqiten në vendet e punës, duke filluar nga data 15 gusht, me qëllim të përgatitjeve për vitit të ri shkollorë 2018- 2019.

Por në disa prej shkollave të kryeqytetit stafi nuk po ka mundësi të mblidhet sepse objektet janë në renovim.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, nga 15 gushti ka obliguar të gjithë mësimdhënësit dhe stafin teknik të shkollave në kryeqytet që të fillojnë përgatitjet për vitin e ri shkollor,  mirëpo në disa prej shkollave këto aktivitete nuk po ka mundësi të zhvillohen sepse ato janë në renovim. Arsim Gashi zëvendës drejtor në Shkollën Fillore të Mesme e Ulët “ Faik Konica” tha për Radio Kosovën, se këtë shkollë stafi nuk ka ku të mblidhet për shkak të punimeve që janë duke u bërë aktualisht.

“Në shkollën tonë për shkak të një renovimi gjeneral që është duke u  bërë,  është e pa mundur që mësimdhënësit të vijnë e te lajmërohen, mirëpo aktivitetet profesionale janë duke vazhduar. Ne shpresojmë dhe besojmë që mësimi do të filloj me 3 shtator sipas kalendarit të MASHT-it, ndonëse punimet janë duke vazhduar”, tha ai.

Ndërsa, Jonuz Salihaj, Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, thotë së në vendin e punës janë lajmëruar me kohë të gjithë mësimdhënësit, përveç në ato shkolla ku kemi renovime. E të gjithë mësimdhënësit që nuk lajmërohen do tu a heqim mëditjet, tha Salihaj.

“Në disa shkolla ku kemi renovime substanciale, si në shkollën Pavarësia,  Elena Gjika,  Faik Konica,që ka renovime të mëdha është e pamundur të paraqitën në punë, me përjashtim të drejtorit të shkollës dhe punëtoreve teknik, që janë prezent, pra përjashtim janë këto shkolla që kemi renovime të mëdha, kurse sa i përket shkollave tjera normalisht janë paraqit në shkollë nga 15 gushti”, th ai.

Drejtori i shkollës Fillore Dardania në Prishtinë Isak Bregaj, thotë se përgatitjet ne shkollën e tyre kanë filluar nga 15 gushti, dhe çdo gjë po shkon ne rregull për sa i përket përgatitjeve për vitin 2018/2019.

“Çdo here është lista ku nënshkruhen mësimdhënësit, po ashtu është edhe agjenda e vendosur se çfarë kanë me bërë secili nga mësimdhënësit, ndërsa ata qëndrojnë në shkolle nga ora 10 deri 13”, tha ai.

Viti i ri shkollor pritet të filloj, me 3 shtator, kurse Sindikata e bashkuar e Arsimit, ka paralajmëruar grevë nëse pas fillimit të punimeve të kuvendit të Kosovës , nuk miratohet ligji për mësimdhënësit e viteve të 90 ta.