15:11 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Si do të plotësojë Kosova nevojat për energji elektrike në të ardhmen!?

Së fundmi, sikurse çdo dimër, Kosova po përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike. Ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike në Kosovë u kanë shkaktuar humbje të mëdha bizneseve dhe qytetarëve.

Furnizimi jo i rregullt me energji elektrike vetëm bizneseve u shkakton humbje prej 300 milion Eurosh gjatë një viti, tregojnë raporte të USAID.

Raporti i Bankës Botërore për mundësitë e furnizimit me energji në Kosovë, tregonte qartë se në vitin 2025 dhe pas mbylljes së Termocentralit Kosova A, Kosovës do t’i mungojnë 1,500 megavat energji elektrike për të përmbushur kërkesën në vend. Raportet kanë marrë për bazë trendin në rritje të konsumit të energjisë elektrike në vend.

Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë, Kosova rrezikon të përballet me mungesë të energjisë elektrike edhe në vitet në vijim.

Sipas strategjisë së energjisë në Kosovë, vendit i nevojiten kapacitete të reja prodhuese të energjisë, me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme për të mbuluar kërkesën për energji elektrike, që pëson rritje çdo vit.

Pothuajse të gjitha vendet në rajon kanë paralajmëruar termocentrale të reja për t’u ballafaquar me kërkesën në rritje për energji elektrike. Kosova i është bashkuar vendeve të rajonit duke paralajmëruar ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet prej 500 megavatësh.

Sipas strategjisë së tyre energjetike, Serbia planifikon ndërtimin e termocentraleve me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 2500 megavatësh, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 2480 megavat.

Sipas statistikave, në Kosovë rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia.

Raporte të Bankës Botërore tregojnë se Kosovarët konsumojnë pak energji elektrike, në krahasim me vendet tjera në rajon. Të njejtat supozojnë se kjo kërkesë do të rritet jashtzakonisht shumë në vitet në vijim.

Sipas raporteve, një Kosovar konsumon pak më shumë se 2,000 kWh energji elektrike deri sa mesatarja e konsumit për person sipas OECD duhet të jetë diku rreth 8,000 kWh. Vlerat supozojnë një rritje të madhe të kërkesës në vend për energji elektrike, me qëllim të përmbushjes së mesatares së konsumit për person.

Sipas Bloomberg, edhe në botë kërkesa për energji elektrike pritet të shënojë rritje prej 57% deri në vitin 2050 dhe kjo edhe ka shtyrë investime të shumta në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike.

Kosova vazhdon të vlerësohet si vendi i pestë në botë për nga rezervat e linjitit.

 

Temat: