10:37 / E Enjte, 23 Shtator 2021 / AR

Si nisi sherri rreth kullotjes së bagëtisë që përfundoi me therje mes familjarëve në Gjakovë

Mbrëmë rreth orës 23:00 në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, është paraqitur një person i cili kishte marrë lëndime trupore nga therja me thikë prej djalit të axhës.

Menjëherë pas kësaj, patrulla policore ka shkuar në emergjencë dhe nga stafi mjekësor është informuar se viktima ka therje në pjesën e djathtë të brinjëve dhe se i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj për Indeksonline ka dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast.

Sipas asaj që viktima ka deklaruar në Polici, ai gjatë ditës kishte pasur konflikt verbal më të dyshuarin (djalin e axhës) rreth kullotjes së bagëtisë në pronën e vëllaut.

I dyshuari në mbrëmjë kishte shkuar në shtëpinë e viktimës për t’u sqaruar dhe pasi që kishin filluar të ziheshin verbalisht, në debat e sipër i dyshuari kishte nxjerr thikën dhe e kishte therur në pjesën e djathtë tek brinjët.

Nga ana e patrullës është arrestuar i dyshuari.

Kurse, lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar ku është inicuar rasti “Lëndim i rëndë trupor” si dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet./Indeksonline/