16:02 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Si po vlerësohet iniciativa e Kadri Veselit për formimin e Tribunalit për gjykimin e krimeve serbe

Kryetari i PDK-së, njëherit i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë iniciativën për formimin e Tribunalit për dënimin e krimeve serbe në Kosovë.

Profesori universitar, Avullah Robaj ka thënë se iniciativa është e mirë, por që nuk ka qartësi të hollësishme se si do të funksionojë ku Tribunal.

Avokati kosovar e ka analizuar edhe punën e Gkykatës Speciale dhe fillimin e intervistimeve të para.

“Fillimisht, iniciativa e z. Veseli është e drejtë dhe qëllimi është i bazuar, mirëpo kjo iniciativë nuk është shpjeguar hollësisht, pasi që nuk është e kjartë se, çfarë nënkupton me Tribunal pasi që Tribunali ka karakter ndërkombëtarë, pra themelohet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare penale dhe me vullnet politik ndërkombëtarë, e që kjo është e pamundur pa vullnetin e OKB-së ose BE-së si Mekanizma Ndërkombëtarë vendimarrës.

Ndërsa, nëse ka pasur për qëllim për formimin e një Gjykate vendore sipas jurisdiksionit të Kushtetutës së Kosovës, atëher kjo është e mundur juridikisht por mendoj se bëhet duplifikim i organeve të drejtësisë, pasi që tani kemi të themeluar Departamentin për krime lufte në kuadër të prokurorisë i cili ka kompetenca të plota ligjore për ndjekjen e krimeve të luftës.
Sa i përket momentit të themelit të Tribunalit, mendoj se deri tani ka munguar vullneti politik i Institucioneve të Kosovës, pasi që ndjekja e krimeve të luftës ka mund të bëhet edhe përmes Tribunalit të Hagës përmes Kallëzimeve penale, mirëpo nuk është bërë asnjë Kallëzim penal për krime të luftës në Tribunalin e Hagës nga Institucionet e Kosovës, përveç rasteve ex-ofittio të cilat i ka inicuar Tribunali i Hagës.

Sa i përket Gjykatës Speciale, fillimisht duhet theksuar se kjo Gjykatë është themeluar në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare pasi që bjen në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit, ku të gjithë qytetarët-shtetasit duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet e veta. Gjithashtu, Gjykatë monoetnike nuk njeh e drejta ndërkombëtare, e as ajo ndërkombëtare penale. Prandaj, Gjykata Speciale është puro politike dhe qëllimkeqe.
Sa i përket marrjes në pyetje të të dyshuarve pranë Gjykatës Speciale, kjo po bëhet në kundërshtim flagrant me dispozitat pozitive të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, pasi që personave të thirrur nuk po ju komunikohet që në fillim statusi juridik se a janë të dyshuar apo në cilësin e dëshmitarit.

Kësisoji, kjo praktikë gjyqësore e panjohur deri më tani është me hile, pasi që kjo Gjykatë përmes kësaj forme deshiron të mbledhë informacion akuzues nga dora e parë, e pastaj të vlerësoj se kush mund të jetë i dyshuar e kush si dëshmitarë” ka thënë Robaj për Indeksonline.