11:43 / E Shtunë, 29 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Si u fut Henri Çili në skemën për lirimin nga burgu të djemve nga Lazarati?

Mes 28 personave të arrestuar nga policia në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete të vendit është edhe botuesi i njohur Henri Çili. Ai u arrestua bashkë me drejtorin juridik të Universitetit Europian të Tiranës, Ilir Korbi.

Pasi u mbajtën për disa orë në Policinë e Tiranës u transportuan drejt Gjirokastrës, aty ku zë fill hetimi që ka zgjatur prej muajit shtator 2019. Por si është i implikuar Henri Çili në këtë cështje? Në qendër të hetimit kanë qenë fillimisht vëllai i bashkëjetueses së Henri Çilit, Gazmir Ajdinaj dhe vëllezërit Aliko nga fshati Lazarat.

Grupi ku ishte përfshirë Gazmir Ajdinaj nga Ballshi, merrej me trafik të lëndëve ekskplozive dhe të drogës. Ushtronte veprimtari në disa qytete, si Gjirokastër, Këlcyrë dhe Shkodër.

Prokuroria po e mbante nën përgjim Ajdinajn. Gjatë këtyre muajve është konstatuar një telefonatë e tij dhe shtetasit Adil Aliko nga fshati Lazarat. Aliko është babai i Arbion dhe Alban Alikos, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat. Sipas kësaj telefonate, mësohet se babai i vëllezërve Aliko ka thënë se i kërkonin 1 milion euro për ndryshimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, shumë që ai nuk e dispononte. Ndërkohë Gazmir Ajdinaj i ka mundësuar Adil Alikos një takim me Henri Çilin. Sipas dosjes së Prokurorisë ky takim ka ndodhur më 7 dhjetor 2019 në Tiranë.

Biseda është përgjuar dhe filmuar. Sipas përgjimeve del që shuma është ulur nga 1 milion euro në 750 mijë euro, shumë që do të përdorej për lehtësimin e vendimeve gjyqësore të vëllezërve Aliko. Henri Çili do të ndikonte tek eksponentë të lartë të drejtësisë për ta parë me prioritet dosjen e Arbion dhe Alban Alikos nga Lazarati. Një pjesë e shumës do të paguhej cash dhe pjesa tjetër me prona të ndryshme. Sipas dosjes hetimore, rezulton se në 10 janar 2020, Henri Çili i ka dhënë një prokurë për të vepruar në emrin e tij, bashkëpunëtorit Betim Shkupi për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë, në pronësi të biznesmenit Sait Fishta, i cili është arrestuar gjithashtu nga Prokuroria.

Pas këtij dhurimi, Henri Çili komunikon me Gazmir Ajdinajn dhe i thotë se gjithçka ka shkuar për mrekulli dhe se meritonte një shpërblim.

Prokuroria ka konstatuar se më datë 3 shkurt 2020, Henri Çili ka komunikuar me Drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës duke i kërkuar që të veprojë me shpejtësi për regjistrimin e pronave.

“Kjo shtetase, pasi i premton se do të veprojë shpejt, i kërkon që të dërgojë dokumentet”, shkruhet në dosje.

Disa ditë më vonë, prokuroria konstaton se Henri Çilit i janë dorëzuar edhe 30.000 euro për të ndikuar në vendimin për Alikot.

Prokuroria ka kapur edhe një rast tjetër të tentativës për të ndikuar mbi vendimin që do të jepej për Feti Yzeirajn, i dënuar me burgim të përjetshëm. Jazo Liko është përgjuar duke mbledhur 1 000 000 lekë nga familjarët e Yzeirajt me qëllim dorëzimin tek Gazmir Ajdinajt për llogari të Henri Çilit.

Shuma prej 1 000 000 lekë nuk u dorëzua pasi Lazo Liko u ndalua në momentin që do të dorëzonte paratë.

Pas marrjes së pronave dhe parave, sipas prokurorisë, Henri Çili ka zhvilluar një takim më datë 14 janar 2020 me një drejtues të lartë të Sistemit të Drejtësisë në një hotel në Tiranë. Dyshohet se ky është gjyqtari Ardian Dvorani, i vetmi i mbetur në Gjykatën e Lartë dhe që do të ishte relatori i cështjes ndaj vëllezërve Aliko.

Edhe ky takim është përgjuar.

Nga përgjimet është konstatuar se Henri Çili i kërkon zyrtarit të lartë që të zgjidhë çështjen e vëllezërve Aliko dhe Yzeirajt sa më parë dhe ai i siguron se ata (Alikot) do të jenë në 50 dosjet e para që do të shqyrtohen.

Disa ditë më vonë arrestohet pikërisht Gazmir Ajdinaj teksa policia i kapi dy kallëpe tritol në makinë.

Arestimi erdhi pasi prokuroria ka përgjuar një telefonatë mes Arbion Alikos nga burgu i Burrelit dhe Gazmir Ajdinajt për një sasi tritoli.

Në 23 shkurt 2020, Ajdinaj shkon në Gjirokastër dhe mori disa sende nga Adil dhe Amarildo Aliko. Policia ndaloi makinën e tij në Tepelenë duke i gjetur aty dy kallëpe tritol si edhe fitil zjarrpërcjellës.

Operacioni i djeshëm është faza e dytë arrestimeve të bëra ndaj grupit ku bënte pjesë edhe Ajdinaj.

Operacioni i policisë ishte koduar “Mezhgorani”. Për të komunikuar arrestimet doli para mediave vetë drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Botuesi Henri Çili akuzohet për katër vepra të rënda penale. “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

Më poshtë emrat e plotë të 28 të arrestuarve.

Xhevair Sejati
Neuland Miçi
Skënder Toska
Armando Hajdinaj

Sidi Ramaj
Erment Beqaraj
Askerd Malkë

Elidon Alikollari
Lisandër Alikollari

Ervin Çela
Ali Hysa
Antonio (Saimir) Hasa

Entilon Kamberaj
Abaz Dani (Mesi)
Shpresa Gjoci

Sait Fishta
Besnik Fishta
Henri Çili

Enri (Gazmir) Ajdinaj
Ilir Korbi
Liko Jazi

Amarildo Aliko
Eraldjan Hodo
Renato Riza Toska

Kejsi Kujtim Meço
Edmond Xaka
Kristina Bashi
Adriatik Brakaj