10:47 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / shkelqim osmanaj

Si u takua Isa me Ismail Qemalin? Stërnipi i Boletinit tregon detajet

Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit tregoi në një intervistë për Euronews Albania sesi Isa Boletini mbërriti në Vlorë më 28 nëntor për të takuar Ismail Qemalin.

“Detajet janë shumë të gjata rreth këtij momenti historik, por nga shënimet që i gëzojmë ne nga nipi i tij, Isa është nisur nga Ferizaj, pastaj nga Prizreni, zona e Hasit pastaj konakun e fundit e bëri tek Elez Isufi tek miku i tij i anëve dhe më 28 nëntor u nis herët nga Fieri drejt Vlorës. Isa me 400 djemtë e tij më të mirë u bë shtylla kryesore e aktit të shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Ishte një nga themeluesit e Gardës së parë shqiptare”, u shpreh ai.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, u ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914.

Akti më i rëndësishëm juridik që nxori qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Ismail Qemali u dëshmua si njeriu qe vuri themelet e shtetit mbi vlera perëndimore.