19:03 / E Hënë, 29 Korrik 2019 / indeksADMonline

Si votuan kosovarët në gjashtë palë zgjedhje?

Shkruan: Valdrin KRASNIQI

Ishte viti 2001 kur në Kosovë u mbajtën për herë të parë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Dy rivalët kryesor, PDK e drejtuar nga Hashim Thaçi dhe LDK e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, synonin marrjen e pushtetit. Në garë ishte edhe AAK e Ramush Haradinajt dhe shumë parti të vogla të cilat nuk arritën të kalonin pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit. Në zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, shumëkush kishte menduar se krahu i luftës po ngjitej në pushtet. Por pas numërimit të votave rezultati tregoi të kundërtën. LDK doli të ishte fituese bindëse e këtyre zgjedhjeve. Por edhe pse fituese ajo nuk shprehu gatishmërinë për të drejtuar me Qeverinë. Me marrëveshje politike, kryeministër u bë Bajram Rexhepi i PDK-së. Në këto zgjedhje LDK kishte marrë 45% të votave, PDK 25% derisa AAK 7.8%.

Tri vjet më vonë u mbajtën zgjedhjet e radhës. LDK sërish arkëtoi 45% të votave në nivel vendi, PDK 28.8%, AAK 8.3% ndërsa për herë të parë garoi edhe partia “Ora” e drejtuar nga Veton Surroi. Ajo mori 6.2% të votave.

Edhe këtë herë LDK nuk shprehu dëshirën dhe gatishmërinë për të udhëhequr me ekzekutivin. Rugova e bëri kryeministër Ramush Haradinajn, ani pse partia e këtij të fundit nuk mori me shumë se 8.3% të votave.

Por, vetëm pak muaj në krye të Qeverisë, Haradinaj u detyrua të lë postin e kryeministrit për të udhëtuar drejtë Hagës, pasi atij i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte. Në vend të Hardinajt erdhi Bajram Kosumi, i cili më pas u zëvendësua nga Agim Çeku, që të dy pjesë të AAK-së.

Në vitin 2007 qytetarët sërish iu drejtuan kutive të votimit. Në këto zgjedhje ndodhi për herë të parë rënia e LDK-së. Lideri i saj, Ibrahim Rugova vdiq pas një sëmundje të rëndë për t’i hapur më pas rrugë zgjedhjeve brenda partisë. LDK ishte e detyruar të gjej pasardhësin e Rugovës. Organizoi kuvendin e punës mirëpo aty shpërtheu lufta e karrigeve që askush nuk e kishte pritur. Pas zgjedhjes së Fatmir Sejdiut në krye të LDK-së, i pakënaquri Nexhat Daci mori një pjesë të anëtarësisë së LDK-së për ta themeluar Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD).

Në këto zgjedhje PDK për herë të parë arriti të dalë e para me 34.3%, LDK 22.6%, AKR e Behgjet Pacollit 12.3%, LDD-PSHDK 10.0% dhe AAK 9.6% ndërsa Ora e Vetonit ndaloi pasi nuk arriti të kalonte pragun prej 5% për tu bërë sërish pjesë e legjislativit. Kryeministër i Qeverisë u votua Hashim Thaçi ndërsa Fatmir Sejdiu u bë president.  

Edhe në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2010, të parat pas shpalljes së pavarësisë, sërish PDK doli fituese. Ajo mori 32% duke u ndjekur nga LDK me 24%, Vetëvendosje 12.69% e cila për herë të parë i hyri garës zgjedhore, AAK siguroi 11% dhe koalicioni AKR-PD-PSD etj, e cila mori 7.29% të votave. Serish me Qeverinë udhëhoqi Hashim Thaçi.

Në zgjedhjet e 2014 skenës politike iu shtua edhe një subjekt politik, pas çarjes së PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi themeluan partinë Nisma për Kosovën. Edhe në këto zgjedhje PDK u rendit e para me 30% të votave, LDK 25%, VV 13%, AAK 9.5%, Nisma për Kosovën 5.1% ndërsa AKR kësaj radhe mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti të siguronte 5% të votave. Pas një koalicioni paszgjedhor PDK e LDK u morën vesh për ndarjen e pushtetit. Derisa Isa Mustafa u zgjodh kryeministër për herë të parë, dy vite më vonë Hashim Thaçi u bë President duke u votuar edhe nga deputetët e LDK-së.

Kurse në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2017, duke rrezikuar të mbeste në opozitë, PDK tani me kryetar Kadri Veselin u detyrua të lë mandatar për kryeministër Ramush Haradinajn dhe të lidhte koalicionin e gjerë bashkë edhe me Nisma-n vetëm që të dalin të parët në procesin zgjedhor përballë LDK-së e VV-së. Parashikimi ju doli dhe ky koalicion mori 33.7%, e pasuar nga VV me 27% dhe koalicioni LDK-AKR me 25.5%. Ramush Haradinaj pas dy viteve kryeministër sërish u largua nga posti i kryeministrit sepse atij i erdhi në adresë një thirrje për tu paraqitur pranë Gjykatës Speciale.