23:00 / E Mërkurë, 03 Prill 2019 / indeksADMonline

Sijarina: Tek i dyshuari për vrasjen në kazinon në Lipjan janë konfiskuar armë dhe prova të tjera

Policia e Kosovës ka arritur që sot të bëjë arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Florent Ahmetaj në një kazino në Lipjan.

36 vjeçari Ahmetaj u vra përderisa ishte në orar të punës në lokal-kazinoje në Lipjan, ndërsa i dyshuari për vrasjen e tij ishte në arrati që nga data 20 mars kur edhe u krye vepra.

E pas arrestimit për media janë deklaruar Prokurori i rastit, Armend Hamiti si dhe Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës, Rexhep Sijarina si dhe zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.

Hoxha ka thënë se personi i dyshuar është arrestuar rreth orës 20:00 dhe me këtë rast është arritur të merren edhe disa prova material, raporton Indeksonline.

Kurse Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës, Rexhep Sijarina ka thënë se pas një pune intensive të policisë është arritur të arrestohet personi i dyshuar  dhe janë konfiskuar dy armë.

“Sonte pas një pune intensive të policisë është arritur të arrestohet personi i dyshuar i cili fillimisht është identifikuar dhe me Prokurorin i cili është prezent kemi marrë masat e nevojshme. Janë konfiskuar dy armë dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu është një veturë që është pjesë e rastit. Jemi duke punuar intensivisht të finalizojmë këtë rast komplet dhe të vazhdojmë me procedurat tjera”, ka thënë Sijarina./Indeksonline/