15:59 / E Enjte, 20 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Simeone nuk përmbyset kurrë, përpos përballjeve me Cristiano Ronaldon

Atletico e Madridit prodhoi një manual mbrojtjeje në fitoren 1-0 ndaj Liverpulit në Madrid të martën dhe Liverpuli nuk do ta ketë aspak të lehtë në “Anfield” në ndeshjen e kthimit për ta përmbysur.

Diego Simeone është një mjeshtër i fazës me eliminim direkt dhe ka një statistikë të frikshme në ndeshjet e nokautit.

Trajneri argjentinas nuk ka humbur kurrë pas fazës së grupeve në Champions, përveç rasteve kur përballë tij nuk ka qenë një ekip i Cristiano Ronaldos.

I ulur në stolin e “Los Colchoneros” në vitin 2011, “Çolo” i kaloi dy sezonet e para në Ligën e Europës, përpara se të kualifikohej në Champions.

Në 2014-ën Atletico mbërriti në finale, duke humbur 4-1 ndaj Realit pas kohës shtesë, me yllin portugez që shënonte një penallti në minutën e 120-të.

Vitin pasardhës, gjithnjë rivalët e qytetit eliminonin Atleticon në çerekfinale, me CR7 dhe shokë që prisnin biletën për më tej me rezultatin e përgjithshëm 1-0.

Në 2016-ën u përsërit finalja e dy viteve të shkuara kundër “Galaktikëve”, të cilën Simeone e humbi 5-3 me penallti dhe një vit më vonë skuadra e Zidanit u kualifikua në gjysmëfinale, duke i mundur 4-2 me rezultat të përgjithshëm.

Sërish Ronaldo ishte në fushë për fituesit. Atletico dështoi të kualifikohej nga faza e grupeve në 2018-ën dhe sezonin e shkuar i eliminoi Juventusi në 1/8-at.

Spanjollët shkuan me avantazhin 2-0 në Torino, por Ronaldo i shoi sërish ëndrrat duke përmbysur gjithçka.