75 Mall Live Search
09:36 / E Enjte, 10 Tetor 2019 / indeksADMonline

Siri, pas bombardimeve ajrore, nis sulmi tokësor. YPG: Shumë civilë të vrarë

Me bombardimet e para përgjatë kufirit ka nisur dhe operacioni ushtarak i Turqisë kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, me një postim në Twitter: Ushtria turke synon të neutralizojë kërcënimin terrorist kundër Turqisë dhe të krijojë një zonë tampon për të lehtësuar kthimin e refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre.

Sipas Observatorit për të Drejtat e Njeriut në Siri, predhat e ushtrisë turke kanë goditur disa zona me civilë, ku ka pasur dhe shumë viktima.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Turqisë që të ndërpresë operacionet ushtarake, duke thënë se ato kompromentojnë përpjekjet diplomatike dhe ka paralajmëruar se BE-ja nuk do të paguajë asnjë euro për atë që Ankaraja e quan “zonë sigurie”.

Mijëra sirianë që banojnë pranë kufirit kanë marrë arratinë nga vendbanimet e tyre.

Fuqitë botërore kanë frikë se aksioni ushtarak mund të hapë një kapitull të ri, të përgjakshëm të luftës në Siri dhe të përkeqësojë paqëndrueshmërinë e rajonit.

Kurdët sot janë gardianët e të paktën e 5.000 të burgosurve irakianë dhe sirianë të ISIS-it dhe një mijë luftëtarëve nga 55 shtete të tjera.