10:20 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / B O

Siria, një “laborator dronësh”!

Siria ka qenë një “laborator dronesh” për palët ndërluftuese në konfliktin e vendit që nga viti 2011, gjatë të cilit dronët u testuan dhe më pas u vendosën në Ukrainë, thuhet në një raport të një organizate joqeveritare.

Të paktën 39 lloje të dronëve ushtarakë nga gjashtë vende janë përdorur në Siri, tha PAX, një OJQ holandeze e paqes, në një raport të publikuar së fundmi.

Rusia, SHBA, Irani, Turqia, Izraeli dhe regjimi sirian kanë përdorur drone në operacionet ushtarake në Siri.

“Siria është kthyer në një laborator dronesh, në të cilën vendet dhe grupet e armatosura joshtetërore kanë testuar lloje të ndryshme të reja dronësh”, nënvizon PAX.

“Gjatë dekadës së fundit, dronët e përmirësuar në hapësirën ajrore siriane kanë treguar vazhdimisht se si agjencitë ushtarake (…) kanë avancuar njohuritë e tyre” në këtë fushë, shtoi raporti.

Dronët kamikaze iranianë, rusë dhe amerikanë të përdorur në Siri janë vendosur “në një shkallë më të madhe” në luftën në Ukrainë.

Që nga viti 2016, Turqia ka përdorur drone në Sirinë veriore në operacionet ushtarake që e kanë ndihmuar atë të kapë një pjesë të gjerë të territorit kufitar.

Më shumë se 60 sulme me dron turq goditën zonat e kontrolluara nga kurdët midis janarit dhe shtatorit 2022, sipas raportit.

Mjeti ajror pa pilot Bayraktar TB-2 i vendosur në Siri është bërë “droni më i njohur luftarak i Turqisë, duke luajtur një rol kyç në konfliktet në Libi, Nagorno-Karabakh, Etiopi dhe së fundmi në Ukrainë,” tha PAX for Peace.

Lufta ka dëshmuar të jetë “laboratori i fundit i mjeteve ajrore pa pilot (UAV)” për Rusinë, duke e lejuar atë të vlerësojë dronët partnerë dhe të testojë dronët dhe armët e veta luftarake.

Ndërhyrja e Rusisë në mbështetje të regjimit sirian ishte vendimtare pasi po humbte zona të gjera territori.

“Rusia (…) ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e luftës falë dronëve,” sipas PAX.

Irani furnizoi gjithashtu me drone milicitë aleate irakiane dhe grupin e armatosur libanez Hezbollah, i cili tashmë kishte aftësi të avancuara, por konsolidoi përvojën e tij duke luftuar përkrah Rusisë në Siri, thuhet në raport.

Gjashtë lloje të dronëve iranianë janë raportuar gjithashtu se janë në duart e regjimit sirian, tha organizata.