10:38 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / OSH

Sistemit shëndetësor i shtohen 1 mijë e 500 specializantë

Sistemit shëndetësor i janë shtuar edhe 1 mijë e 500 specializantë. Kështu është bërë e ditur në një konferencë shtypi, që u mbajt pas takimit që kishte kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Shefi i Ekzekutivit po vlerëson se ky është një hap shumë i madh në shëndetësi.

“Është hapi më i madh që është bërë në shëndetësi për katër vjet, për të krijuar kapacitete të nevojshme në institucionet tona shëndetësore”, ka thënë Hoti.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se nga ky vit do të hapen konkurse për specializantë çdo vit.

“Mjekët tanë, akademikët e ardhshëm 1mijë e 500 familjet e tyre sot më shumë se sa të gëzuar do të jenë të kënaqur që në sistemin shëndetësor po shtohen edhe 1 mijë e 500 specializantë…Ministria e Shëndetësisë nga ky vit do të hap konkurs për specializantë çdo vit”, ka thënë Zemaj.

Sa i përket rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, Hoti e Zemaj kanë vazhduar të bënin thirrje për zbatim të masave, derisa nuk paralajmërojnë për ndonjë mbyllje.