Situata në kryeqytet, Rama takon drejtorin e policisë në Prishtinë, dakordohen për disa pika
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar sot drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kryeqytet.
“Pas një numri të incidenteve të kohëve të fundit në Kryeqytet, shqyrtuam masat potenciale për adresim të situatës. U dakorduam të rrisim bashkëpunimin me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatat kompetente për reagimin më të shpejtë për këto raste, marrjen e masave parandaluese si dhe fuqizimin e politikave ndëshkuese ndaj shkaktuesve të veprave penale në Kryeqytet.
Më tej, ia përcollaa drejtorit Shabani rëndësinë e lëvizjes së lirë të këmbësorëve dhe kërkova fokus më të madh të policisë në lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara ilegalisht dhe vendparkimet ilegale ne përgjithësi. U dakorduam që në mënyrë urgjente të gjejmë zgjidhje për të angazhuar kompani për largimin e veturave të parkuara ilegalisht.
Shkëmbyem informata edhe rreth zbatimit të projektit digjitalizues të Qytetit të Menqur (Smart City) dhe lidhshmërinë e këtij projekti me punët operative të Policisë.
Drejtori Shabani kërkoi nga institucionet e kryeqytetit që të rritet numri i inspektorëve komunalë pas orës 22:00 në mënyrë që të rritet efikasiteti i reagimit të institucioneve të sigurisë dhe të Kryeqytetit.
Po ashtu, drejtori Shabani na informoi se, pavarësisht disa incidenteve të sigurisë, ka trende pozitive në rënien e numrit të veprave penale, aksidenteve të trafikut, në veçanti atyre me fatalitet, si dhe në rritjen e numrit të rasteve të zbuluara.
Kryeqyteti do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovë drejt ofrimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët”, shkruan Rama në njoftim./Indeksonline/