Situatë shqetësuese për Kombëtaren e Kosovës para ndeshjes më të rëndësishme në histori
Kombëtarja e Kosovës në futboll, në nëntor do të luaj ndeshjen e saj më të rëndësishme në histori, kundër Çekisë.
Për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit në kampionatin evropian Euro 2020, na duhen 3 pikë në Plzen.
Megjithatë, gjendja e futbollistëve aktualisht nuk duket mirë dhe kjo mund të jetë shqetësuese për trajnerin Bernard Challandes, shkruan Indeksonline.
Dy futbollistë të përbërjes së parë janë duke u shëruar dhe nuk do të jenë në dispozicion për këtë takim.
Bëhet fjalë për mesfushorët Hekuran Kryeziu dhe Arbër Zeneli.
Ndërsa shumë futbollist që janë fizikisht të gatshëm nuk po luajnë rregullisht në skuadrat e tyre.
Duke filluar nga pozita e portierit, Aro Muric dhe Samir Ujkani janë rezervistë te Nottingham Forrest përkatësisht Torino.
Mbrojtësi Mërgim Vojvoda ka humbur pozitën e startuesit te Standardi i Liegeit dhe në 3 ndeshjet e fundit nuk ka luajtur në përbërjen bazë.
Ngjashëm është situata edhe për Florent Hadërgjonajn i cili nuk ka pasur shumë hapësirë kohëve të fundit te Huddersfieldi.
Mbrojtësi i Zurichut, Benjamin Kololli para pak javësh u rikthye nga lëndimi. Në ndeshjen e fundit kundër Luganos luajti vetëm 27 minuta.
Mesfushori i Lazios Valon Berisha duket se së shpejti do të largohet nga klubi italian. Ai ka pasur një periudhë të vështirë me lëndime gjatë vitit të fundit. Në ndeshjen e fundit të Kosovës kundër Malit të Zi ai ishte njëri prej më të mirëve në fushë, por te Lazio nuk ka arritur asnjëherë të siguroj vendin e startuesit.
Pavarësisht krejtve, lajme të mira po na sjellin disa nga futbollistët kryesor që kanë pasur progres të madh. Mbrojtësi Amir Rrahmani është shndërruar në një prej lojtarëve kryesor te Verona.
Mesfushori Milot Rashica, shihet si e ardhmja e futbollit të Kosovës. Vlera e tij në treg është 20 milionë euro dhe shumë klube evropiane janë duke e monitoruar.
Kulmin e karrierës po e kalon Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar po shkëlqen në futbollin turke te Fenerbahce. Që prej fillimit të këtij edicioni ai ka shënuar 6 gola në 10 ndeshje me klubin dhe shtetin. /Indeksonline/