75 Mall Live Search
22:24 / E Shtunë, 25 Janar 2025 / Gj. Sh

Sjellja e investitorëve të huaj dhe fuqizimi i zërit të diasporës, qëllimi i Mustaf Abazit në politik

Mos zhvillimi ekonomik, mungesa e investimeve kapitale dhe sjellja e investitorëve të huaj, ngecje në arsim, shëndetësi ka bërë që biznesmeni Mustaf Abazi nga Gjermania të vijë e të rikthehet në vendlindje për t’iu futur politikës. Përmes LDK-së Abazi po synon të bëhet deputet i Parlamentit të Kosovës në këtë legjislature të re që pritet të dal pas 9 shkurtit.

Në një intervistë me Syri.net Kosova, Abazi ka shpalosur qëndrimin e tij në lidhje me zhvillimet politike në vend, por edhe synimet e tij. Çka e shtyu Abazin t’i futet politikës? Pse e la diasporën për t’u rikthyer në vendlindje? Këto dhe shumë të tjera mund t’i lexoni në intervistën e mëposhtëm.

Syri Kosova: z.Abazi, pse vendosët t’i hyni garës për deputet të Kuvendit të Kosovës ?

Mustaf Abazi: Duke parë gjendjen e rëndë ekonomike në vend dhe duke parë vendimet e kësaj qeverie e të cilat e rënduan jetën e qytetarit të Kosovës, e pashë të udhës që të bëjë përpjekje për të dhënë edhe një copë kontribut për vendin tim. Mendoj që ky është vendimi më i mirë që e kam marrë në jetën time, sepse besoj që vetëm duke u përballur direkt me problemet e jetës së përditshme të qytetarëve, mund ta dëshmojmë dashurinë për këtë vend.

Syri Kosova: Cili është qëllimi juaj kryesor në këtë fushatë dhe çka i premtoni votuesit kosovar ?

Mustaf Abazi: Meqë unë garoj në radhët e LDK-së si kandidat nga diaspora,  unë e kam vetëm një qëllim, të sjell sa më shumë investime nga diaspora në Kosovë. Fatkeqësisht kjo qeveri deri tani mërgatën tonë të mrekullueshme e ka parë vetëm për vota dhe për paratë që ne kemi dërguar e sjellë në Kosovë. Siç e dini diaspora është kontribuuese e madhe në buxhetin e përgjithshëm të Kosovës, por kryesisht përmes remitancave. Dhe mendoj se kjo nuk mjafton , ka ardhur koha që ne të jemi edhe pjesëmarrës direkt në ndërtimin e këtij shteti përmes investimeve konkrete.

Syri Kosova: Si e keni menduar këtë , pse besoni se deri tash diaspora nuk ka qenë prezentë me investime në Kosovë ?

Mustaf Abazi: Sipas raporteve zyrtare të institucioneve kompetente , pjesëmarrja e diasporës me investime në Kosovë llogaritet kryesisht me blerjen e banesave dhe patundshmërive të tjera, dhe mendoj se kjo duhet të marrë fund. Investime direkte nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës përmes sjelljes në Kosovë të kompanive dhe emrave të njohur botëror por jo vetëm. 

Syri Kosova: Çka e ka penguar deri tash sipas jush diasporën që të investoj në Kosovë ?

Mustaf Abazi: Burokracia. Ky është problemi kryesor me të cilin përballet edhe diaspora por edhe investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë. Në programin e LDK-së dhe me vizionin e kryeministrit të ardhshëm Lumir Abdixhiku , kjo do të eliminohet , dhe ndaj investitorëve të huaj por edhe diasporës do të ketë një kujdes të veçantë institucional.

Image

Syri Kosova: Votuesi me të drejtë pyet , pse duhet të besoj në ju që do të sillni investime nga diaspora, a keni investuar ju në Kosovë ?

Mustaf Abazi: Kjo ndoshta është pyetja më e rëndësishme deri tani. Po unë kam ardhur dhe kam investuar vet në Kosovë, pavarësisht vështirësive me të cilat jam ballafaquar nga kjo qeverisje si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror. Unë kam ndërtuar një biznes gastronomie në fshatin tim të lindjes në Sallabajë të Podujevës si dhe kam ndërtuar qendrën rehabilituese me ujëra termale e cila do të ketë hapësirën edhe për qëndrimin e pleqve. Besoj që ka edhe mërgimtarë të tjerë të interesuar për investime sikurse unë por që kjo qeveri ua ka zënë frymën edhe atyre njëjta si ekonomisë së vendit tonë.

Image

Syri Kosova: A mendoni se do të arrini të bëheni deputet i Kuvendit të Kosovës ?

Mustaf Abazi: Të them të drejtën në rrafshin personal unë jam i përmbushur, pasi që pos që kam disa biznese në Berlin të Gjermanisë ku jetoj e veproj tash e 35 vite, unë drejtoj edhe unionin e bizneseve shqiptare të diasporës në Gjermani. Sa i përket aspektit ekonomik të bëhem deputet nuk më leverdis aspak, përkundrazi ndoshta vetëm dëmtohem, por siç e thash edhe në fillim po dua të jap më shumë për vendin tim, sepse të gjithë neve që jetojmë në kurbet na dhemb shpirti nëse vendon tonë e shohim keq, dhe duke u qeverisur keq siç ndodhi me këtë qeveri në ikje. Duke parë entuziazmin dhe përkrahjen e qytetarëve dhe elektoratit për LDK-në dhe duke parë dëshpërimin me këta që qeverisën dobët, besoj që unë do ta marr besimin qytetar për deputet. Ajo që jap si zotim para votuesit është se të gjitha ato që i premtoj do t’i realizoj, sepse qytetarët janë gati për ndryshim e unë jam gati për vendin tim.

Image