S’ka reformë zgjedhore, kosovarët votojnë me sistemin e vjetër
Ndonëse kanë kaluar më tepër se shtatë vite nga marrëveshja e liderëve të PDK-së, LDK-së dh AKR-së, për formimin e një Komisioni që do te merrej më reformën zgjedhore, kosovarët ende votojnë me sistemin e vjetër.
Në pikën e tretë të kësaj marrëveshje, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacollit, thuhej “pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili mes dispozitave tjera do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim”.
Për reformën zgjedhore para dy vitesh, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte nisur të zhvilloj takime me përfaqësuesit e partive politike, por ndonëse u tentua, një gjë e tillë nuk u bë asnjëherë, shkruan Indeksonline.
Thirrje institucioneve të vendit dhe subjekteve politike për fillimin e reformës zgjedhore u ka bërë ditë më parë edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, sipas së cilës kjo nismë është e domosdoshme.
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu në një prononcim për Indeksonline ka thënë se mungesa e reformës zgjedhore po shkakton shumë pasoja negative në vend.
Sipas tij, mungesa e reformës mund të shihet si një prej neglizhencave dhe avazeve të vazhduara të institucioneve të vendit që e tregojnë kur është fjala për reformën në të gjitha fushat, e edhe në segmentin elektoral që është njëra prej më të rëndësishmeve sepse është burim i demokracisë.
“E kjo gjë po ndodh pikërisht për shkak të mosinteresimit, paqartësive, kontradiktave e mbi të gjitha të vullnetit institucional që të behet legjislacioni dhe reforma elektorale. Si pasojë është edhe mosfunksionimi i institucioneve të pavarura, që është një prej shtyllave mbajtëse dhe garantuese të Kushtetutës. Njëra nga to është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe sekretariati i tij që në kaq kohë të gjatë siç e dimë të gjithë është jofunksional dhe jashtë mandatit”, ka theksuar Baraliu.
Prandaj, siç ka thënë ai, kur një institucion është jofunksional, nuk mund të punoj jashtë mandatit katër vjeçar dhe nuk mund të informoj qytetarët.
“Me këtë logjikë, faktikisht edhe vendimmarrja e këtij institucioni është jashtë mandatit e joefikase”, ka thënë tutje Baraliu.
Ndërkaq, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Valdete Bajrami ditë më parë ka thënë se nuk ka vullnet politik për të bërë një reformë të mirë zgjedhore.
Sipas saj, konsensusin për reformën aktualisht nuk ekziston dhe se një reformë e tillë duhet të miratohet së paku gjashtë muaj para mbajtjes se zgjedhjeve.
Kujtojmë se edhe Misioni i Bashkimi Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve gjatë procesit zgjedhor të vitit 2017, pati dhënë një sërë rekomandimesh për reformën zgjedhore. Duke filluar me financimin, listat e votuesve, koha e transmetimit në media, votimi jashtë Kosovës e deri te ankesat dhe parashtesat./Indeksonline/