16:02 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

KQZ në krizë, ende nuk ka mandat!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbetur i bllokuar që prej gjashtë muajsh, si pasojë që anëtarëve të saj u ka kaluar mandati dhe nuk janë zëvendësuar me të rinj.

E gjithë kjo ka shkaktuar bllokim brenda këtij institucioni duke grumbulluar punë dhe madje kërkesa për zëvendësimin e asamblistëve në Kuvendet Komunave të Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për “Indeksonlline”, zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi i cili ka theksuar se deri më tash janë mbledhur rreth 30 kërkesa për zëvendësime të anëtarëve të Kuvendeve komunale.

“Deri më tani kemi rreth 30 kërkesa për zëvendësime të anëtarëve të Kuvendeve nga komuna të ndryshme të Kosovës” është shprehur Elezi.

Sipas tij, zëvendësimi i këtyre personave do të bëhet sapo të ketë mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kurse sa i përket punës së Sekretariatit të këtij institucioni është miratuar Plani i Punës me anën e të cilët po punohet.

“Deri më tani kemi rreth 30 kërkesa për zëvendësime të anëtarëve të Kuvendeve nga komuna të ndryshme të Kosovës. Zëvendësimi i tyre do të bëhet sapo të kemi mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka të miratuar Planin e Punës (2018), i cili është thelbësor në përcaktimin e detyrave dhe punëve që duhet t’i përmbushë stafi i Sekretariatit të KQZ-së, dhe jemi duke vazhduar punën në këtë drejtim” ka përfunduar Elezi.

Muaji shtator i vitit të kaluar do duhet të kishte zgjedhur problemin e emërimeve brenda KQZ-së, por ende nuk dihet se kur do të ndodh një gjë e tillë. Indeksonline ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentit, por nuk ka marrë përgjigje.

Ish kryesuesi i KQZ-së Mazllum Baraliu për Indeksonline ka thënë se një vonesë e tillë është anti-kushtetuese dhe ky është momenti i fundit që institucionet të alarmohen.

“Veprime të tilla janë mosrespektim i mandatit kushtetues brenda një institucioni të pavarur siç është vet KQZ-ja, është shkelje e kushtetutës prandaj kemi të bëjmë me tejkalim mandatesh me moskujdes dhe zvarritje institucionale, pasivitet, me burokraci deri në papërgjegjësi institucionale të eksponentëve të cilët janë të obliguar që të radhë të parë subjektet politike ti bëjnë propozimet deri të verifikimi nga Presidenca” ka thënë Baraliu.

Sipas tij, asnjë vendim i marr nga anëtarët pa  mandat që janë ty, nuk është legal dhe janë vendime pa bazë ligjore dhe kushtetuese.

“Ata njerëz janë pa mandat aty dhe asnjë vendim i tyre nuk është legal e as legjitim dhe ata faktikisht nuk mund të marrin vendime apo vendimet e tyre janë pabazë ligjore dhe pa bazë kushtetuese. Po ashtu, nuk mund të realizojnë detyrat e tyre për çka ata me rregullat e KZQ-së janë të obliguar që çdo ditë të merren. Pastaj nuk mund të koordinohen puna dhe projektet e caktuara brenda mandateve, gjegjësisht brenda proceseve zgjedhore, elektorale me sekretariatin e KQZ-së të cilin gjithsesi KQZ-ja e mbikëqyrë e aktivizon, e koordinon në mënyrë që të realizohen projektet e duhura siç janë ato për sensibilizimin e qytetarëve për identifikimin e votuesve të ri, edukimin e tyre për rëndësinë e votës dhe shumë aktivitete të tjera.” ka përfunduar profesori i të drejtës kushtetuese Mazllum Baraliu.

Ndryshe, para disa muajve Presidenti Thaçi kishte kërkuar një interpretim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë çështje, por kjo e fundit ende nuk ka dalë me ndonjë qëndrim./Indeksonline/