14:41 / E Premte, 31 Korrik 2020 / indeksADMonline

Skandali “Dieselgate”, VW-ja dëmshpërblen blerësit në SHBA me 9.5 miliardë dollarë

Skandali i vitit 2015 i solli shumë dëme gjigantit gjerman të veturave Volkswagen, në shumë mënyra dhe pos imazhit e dëmtoi edhe në llogaritë bankare.

Komisioni Federal Tregtar i SHBA-së ka bërë të ditur këtë javë se VW-ja u ka paguar blerësve të veturave të kësaj marke dëmshpërblim prej 9.6 miliardë dollarë, pasi para shpërthimit të skandalit me emetimin e gazrave, i njohur si “Dieselgate”, kompania i kishte joshur me reklamën “Diesel i pastër”.

Siç bëhet e ditur, në këtë shumë është përfshirë edhe dëmshpërblimi për blerësit e veturave Porsche, që është pjesë e grupit të VW-së.

Blerësve të veturave Volkswagen dhe Porsche, të cilët kanë blerë modele me “motor të pastër diesel”, u janë ofruar dy mundësi: të kthejnë veturat te kompania me një kompensim monetar apo të vendosin për modifikim të tyre pa kosto shtesë.

Raporti, të cilin e bëri të ditur KFT-ja, bën të ditur se 86 për qind e blerësve vendosën të kthejnë veturat e tyre.

VW-ja në vitin 2015 pranoi se në 550.000 vetura diesel të shitura në SHBA, kishte vendosur fshehtas një pajisje që do të jepte rezultate të rrejshme ne testet për emetimin e gazrave.