13:32 / E Enjte, 20 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Skandali i radhës në FIFA, presidenti i PSG-së akuzohet për korrupsion

Rasti i korrupsionit shpërthen zyrtarisht brenda FIFA-s. Presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, akuzohet nga autoritetet zvicerane për “dhënien e favoreve të panevojshme” ish-sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke.

Presidenti i PSG akuzohet për “keqmenaxhim dhe korrupsion”, ndërsa ish-sekretari për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh.

Hetimet e kryera nga autoritetet zvicerane zbuluan se ish-sekretari i FIFA-s kishte marrë përfitime të padrejta nga Al-Khelaifi dhe një i akuzuar i tretë, një biznesmen në fushën e ligjit të sportit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin.

Për më tepër, ndërmjet viteve 2013 dhe 2015, Valcke ka ushtruar ndikimin e tij për të paracaktuar të drejtat e transmetimit televiziv të kompeticioneve të ndryshme të futbollit dhe Kupës së Konfederatave.

Sipas akuzës, Al Khelaifi i ka fituar të drejtat e transmetimit për “BeIN Sports”, pronar i të cilit është, nëpërmjet korrupsionit.

Dhënia e një vile në Sardengna të Italisë për ish-sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, është pika fillestare nga nis akuza e prokurorit publik të Zvicrës.

Al Khelaifi, në një shënim zyrtar, gjithashtu, njoftoi se kishte kërkuar një hetim për procesin e zhvilluar ndaj tij.

Pas tri vitesh hetime, me të cilat unë bashkëpunova, jam i lumtur të them që akuzat e korrupsionit për Kupën e Botës 2026 dhe 2030 ranë. Siç kam thënë gjithmonë, akuzat kurrë nuk kishin asnjë bazë. Unë jam pastruar nga çdo dyshim për korrupsion. Ndërkohë, një akuzë e dytë mbetet për t’u zgjidhur. Kam çdo shpresë se edhe kjo akuzë do të dëshmohet e pabazuar. Ndërsa unë bashkëpunova me autoritetet gjatë hetimit, çështja u karakterizua nga dezinformata të vazhdueshme dhe gjëra të dala në publik për të prishur reputacionin tim.

Për këtë arsye, unë kërkova që të hapet një procedim për zhvillimin e hetimit. Rezervoj të drejtën të ndërmarr masa ndaj mediave që dëmtuan imazhin tim, duke botuar informacione pa mbështetjen e fakteve, duke shkruar artikuj të bazuar në burime të paligjshme në lidhje me fajin tim të pretenduar“.