75 Mall Live Search
20:35 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Skandali i zbuluar nga Indeksonline, zëvëndës- ministrit i kushtoi me dënim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor zëvendësministrin aktual të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Qazim Rrahmani, i cili është akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Rrahmani, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në kohën sa ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Rrahmani, është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pajtimin e tij, ky dënim i është zëvendësuar me dënim me gjobë prej tre mijë eurosh, të cilin ai mund ta paguaj me këste.

Siç edhe pati zbuluar INDEKSONLINE, njëri prej zëvëndësministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka keqpërdorur mijëra euro të buxhetit të shtetit.

Rrahmani për më shumë se një vit shpenzoi afro 13 mijë euro nga kredit-kartela, e cila është e dedikuar enkas për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Ndonëse merr rrogë fikse 1150 euro në muaj, një pjesë të madhe të parave i ka shpenzuar në mënyrë krejtësisht jo ligjore dhe jashtë rregullores së paraparë për arsyetim dhe faktimin e tyre.

“Indeksonline” ka siguruar dëshmi ku shihet qartë keqpërdorimi i kartelës nga zv/minitri Rrahmani.

Në këto dokumentet pasqyrohet se si zv/ministri, i dikasterit të cilin e udhëheq Kujtim Shala,  “shkeli me dy këmbë” ligjin.

Madje, përpos blerjes me kartelë, ai edhe ka tërhequr mijëra euro nga bankomatët në Kosovë. Gjithsej vlera e tërheqjeve shkon në 5580.00 euro.

Sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, ai MPMS-së ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro.

Me aktgjykimin e së hënës, Rrahmani po ashtu është obliguar që shumën prej 4.858.89 euro, t’ia kompensojë MPMS-së./Indeksonline/