20:01 / E Enjte, 22 Korrik 2021 / AR

Skandali me përgjimet, Macron ndërron celularin dhe numrin e tij

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ndërruar celularin dhe numrin e telefonit pas skandalit të spiunazhit me softuerin Pegasus.

Lajmi u bë me dije për Reuters nga një zyrtar i lartë francez, i cili sqaroi se ky ishte njër ndër veprimet e para konkrete në lidhje me skandalin.

“Ai ka disa numra telefoni. Kjo nuk do të thotë se është spinuar. Është vetëm siguri shtesë”, tha ai për Reuters.

Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se protokollet e sigurisë së presidentit po ndryshojnë pas incidentit me Pegasus.

Aktivistë, gazetarë dhe avokatë përreth botës janë shënjestruar me një virus telefonik, duke rënë pre e përgjimeve.

Akuzat lidhur me programin e njohur si “Pegasus”, u raportuan nga Uashington Post, The Guardian, Le Monde dhe 14 media të tjera prestigjioze përreth botës.

Sipas tyre virusi infektonte pajisjet iPhone dhe Android duke u mundësuar operatorëve të kopjojnë mesazhe, fotografi, emaile, regjistruar telefonata dhe aktivizuar mikrofonët në mënyrë sekrete. Megjithatë kompania izraelite nuk pranon ndonjë shkelje.