09:53 / E Premte, 07 Janar 2022 / OSH

Skandali me publikimin e pagave dhe të dhënave personale, lëshohen disa urdhër-arreste, 2 në pranga deri tani

Dy persona janë arrestuar deri tani në lidhje me skandalin e publikimit të pagave pak javë më parë. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar disa urdhër arreste, por aktualisht janë vënë në pranga vetëm 2 persona, të cilët akuzohen se kanë publikuar të dhënat personale të mbi 650 mijë qytetarëve. Nuk dihen ende identiteti i te arrestuarve dhe funsionet e tyre. Për këtë çështje Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pas hetimit të zhvilluar njoftojnë konferencë për shtyp në orën 10:30.

Dy ditë më parë Shqiptarja.com mesoi se prokuroria e Tiranës kishte zbuluar personin që nxori të dhënat e mbi 650 mijë shqiptarëve, i cili është një teknik IT nga brenda Drejtorisë së Tatimeve. Bëhet fjalë për A.A. teknik IT i Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua. Nuk është ende e qartë nëse në pranga sot nga policia ka përfunduar ai apo janë persona të tjerë.


Sipas burimeve të Shqiptarja.com, prokuroria ka zbuluar se burimi i informacioneve të mbledhura nga A.A. ishte një kolege e tij, po ashtu nëpunëse e Tatimeve, e cila çdo muaj mblidhte informacionet mbi pagat e taksapaguesve shqiptarë për t’i shpërndarë në seli të ndryshme rajonale të Tatimeve.

Pra publikimi i të dhënave nuk ka qenë pjesë e ndodnjë sulmi hakërimi, por nga vetë personat brenda institucionit. Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi stabilitetin dhe sigurinë e tyre. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!