21:36 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Skandali: Në vitet 1992-1996 janë zhdukur rreth 150 mijë armë trofe

Ndër mëkatet e shumta të qeverisjes që parapriu shkatërrimin e shtetit dhe trazirat e vitit 1997 në Shqipëri, është dhe skandali i ‘zhdukjes’ së armëve trofe, të cilat me një urdhër të veçantë të Ministrit të Brendshëm, iu hoqën veteranëve apo u morën nga muzetë dhe u magazinuan në një mjedis të veçantë të Ministrisë.

Sipas disa statistikave të përafërta nga Ministria e Brendshme, të botuara nga DITA bëhet fjalë për rreth 150 mijë armë trofe.

Kjo përbën jo vetëm dëm të konsiderueshëm ekonomik, por me shitjen e trafikimin e armëve trofe, shumica, unikale e të prodhuar dekada apo shekuj më parë, u zhdukën vlera të rëndësishme të kulturës kombëtare.

Grumbullimi i të gjitha armëve trofe që ishin të shpërndara e të evidentuara në popull nisi në vitin 1992, me urdhër të  veçantë të Ministrisë së Brendshme,

Në bazë të këtij urdhri, u tërhoqën nga magazinat e ushtrisë e policisë të gjitha armët e këtij lloj dhe u grumbulluan në qendër, në Tiranë.

Pjesa dërmuese e tyre, sipas statistikave, ishin në pronësi të ish-luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore.

Specialistë të armatim-municioneve pohojnë se u grumbulluan rreth 15 mijë armë trofe.

Grumbullimi i tyre, në të shumtën e rasteve i konceptuar si hakmarrje ndaj “partizanëve” apo “komunistëve”, solli dhe reagim nga mbajtësit e armëve trofe.  Jo pak prej tyre, duke këmbëngulur ti mbanin këto armë që i kishin me lejë, përfunduan në polici.

Por, armët me dorëzim vullnetar dhe me detyrim u mblodhën.

Historia e kolonelit zviceran

Interesi për to qe i menjëhershëm si nga “gjahtarë” vendas të relikeve, ashtu dhe nga të huaj që vinin në Shqipëri dhe e mësuan këtë fakt.

Sot, është e pamundur të gjenden gjurmët se ku përfunduan këto armë, ndërkohë që thuhet se disa nga armët relike kërkoheshin me çmime nga disa qindra në disa mijëra dollarë copa.

Një specialist i armatimit që u mor me administrimin e armëve trofe, thotë për DITA një detaj interesant që lidhet me kohën kur këto armë magazinoheshin:

“Midis të tjerëve, vjen dhe interesohet dhe një kolonel nga Zvicra i ardhur në Shqipëri në kuadër të misioneve Ndërkombëtare për trajnimin e kuadrove ushtarakë e policorë. Me shikimin e parë i vajti syri tek një pistoletë me një dorezë të bukur sermi. E mori në duar dhe e vëzhgoi gjatë. Pistoleta trofe ishte e markës italiane, prodhim i vitit 1826 dhe mbi të ishte shkruar ´Dhuratë e Viktor Emanuelit për oficerin e xhandarmërisë shqiptare…..`.

Mori një leckë të cilën e lagu në vajguri dhe nisi ta pastrojë. Kur konstatoi se ajo kishte një vrimë në tytë, u habit dhe u drejtua:

– Po pse ja keni shpuar këtë vrimë pistoletës?

– Është luftarake, e meqë ishte në muze, ja kemi shpura që të mos e marrin e ta përdorin- i thamë.

–Po pse nuk keni roje ju në muze!!- vazhdoi ai.

– A e dini sa kushton një pistoletë relike me këtë vit prodhimi?- na u drejtua pas pak. Shikuam njeri-tjetrin (ishim tre shqiptarë aty), pa ditur se çfarë ti thonim. – Një e tillë është blerë në Afrikë 140 mijë dollarë, na tha koloneli zviceran”- tregon specialisti jonë i armatimit.

Ku janë sot armët trofe që ju morën veteranëve të luftës? Ku janë qindra armë relike që u zhdukën nga muzetë e shumë rretheve të vendit?

Këto pyetje u bashkohen pyetjeve të shumta pa përgjigje të të ashtuquajturit “tranzicioni shqiptar”./Dita