Skuadra shqiptare kërkon sulmuesin e Torinos
Kukësi është në kërkim të një sulmuesi që të bëjë diferencën, pasi largimi i Gurit, Bakajt e Baldesë kanë lënë një boshllëk të madh në sektorin ofensiv. Kupat e Europës janë mision i pamundur pa një sulmues kalibri, ndaj dhe verilindorët e kanë kuptuar mirë këtë gjë.
Mbas akordit me Arlind Kalanë e Vllaznisë, drejtuesit janë në gjurmët e një lojtari që jep garanci në vijën e parë.
“Panorama Sport” mëson se është vetë trajneri Peter Pakult ai që po ndjek sulmuesin e Basano Virtus në Serinë C italiane, Abou Diop.
Bëhet fjalë për një sulmues senegalez, i cili ka përvojë mjaft të gjatë në futbollin italian, pasi ka qenë pjesë e Torinos dhe I huazuar në shumë skuadra italiane.
Sulmuesi nga Senegali i datëlindjes 6 tetor 1993 ka bërë një sezon shumë të mirë këtë vit me Basano Virtus, ku ka luajtur plot 35 takime, 28 nga të cilat si titullar.
Pra, është një titullar i padiskutueshëm në ekipin e tij, ku ka shënuar 8 gola.
Trajnerit Pakult ia kanë sugjeruar lojtarin e ai po e ndjek me vëmendje atë, e nëse do bindet, Kukësit do i duhet të bjerë dakord me klubin e Torinos për ta huazuar lojtarin, pasi Diop është në pronësi të skuadrës që merr pjesë në Seria A.