07:58 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Sonarë dhe dronë për kërkimin e avionit indonezian

Dronë dhe teknologjia sonare janë vendosur në Indonezi për të kërkuar një aeroplan të pasagjerëve Lion Air që u rrëzua në det të hënën.

Fluturimi JT 610 u rrëzua pasi u nis nga Xhakarta me 189 pasagjerë dhe ekuipazhin në bord.

Nuk ka pasur asnjë shenjë të të mbijetuarve por mbeturinat dhe sendet personale janë mbledhur nga uji.

Nuk ka ende tregues se çfarë e ka shkaktuar zhdukjen e aeroplanit 13 minuta pas largimit.

Zyrtarët thonë se piloti i Boeing 737 kishte kërkuar të kthehej në aeroportin Soekarno-Hatta pak para se të humbiste kontaktet me kontrollin e trafikut ajror.

Një regjistër teknik i marrë nga BBC tregoi se aeroplani kishte hasur probleme teknike duke fluturuar nga Bali në Xhakarta një ditë më parë.

Regjistri tregoi se një instrument ishte “jo i besueshëm” dhe piloti duhej t’ia dorëzonte oficerit të parë.

Shefi ekzekutiv i Lion Air, Edward Sirait, tha të martën se avioni ishte riparuar përpara se të nisej përsëri.

Fluturimi JT 610 po shkonte për në qytetin perëndimor të Pangkal Pinang të hënën, por menjëherë hasi vështirësi.

Trembëdhjetë minuta në fluturim e më pas papritur humbi lartësinë, duke rënë në detin Java, në veri-lindje të Xhakartës.

Njerëzit të cilët ishin në një anije afër  zonës në atë kohë, kanë raportuar  se panë avionin të binte nga  qielli.

Kreu i agjencisë së fatkeqësive në Indonezi, Sutopo Purwo Nugroho, tha në Twitter se pajisjet sonare ishin duke u përdorur në ujërat pranë Karawang,  pika e fundit e kontaktit të aeroplanit.