08:32 / E Mërkurë, 19 Prill 2023 / A. M.

Sot edhe “de jure” vendimi për liberalizimin e vizave!

Sot pritet që në Strasburg të nënshkruhet zyrtarisht vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Atje ka udhëtuar zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.

“Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit zyrtar të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, e organizuar nga presidentja e Parlamentit Roberta Metsola”, thuhet në njoftim.

Raportohet se ceremonia do të fillojë në orën 14:45.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian së bashku me eurodeputetin dhe raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15.

Ndryshe, dje Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidentja e vendit Vjosa Osmani e ka quajtur hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë, por edhe vetë Evropën./