Sot gjyqi në Gjykatën Kushtetuese për pensionet e ushtarakëve
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot mbi fatin e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kanë qenë shoqatat e ish-ushtarakëve, ato të cilat kanë dorëzuar kërkesë-padinë në fillim të muajit shtator, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit, me argumentin se cenon disa nga të drejtat elementare të fituara me ligj.
Seanca, e planifikuar dy javë më parë, do të zhvillohet sot në prezencë vetëm të avokatit, pa praninë e përfaqësuesve nga shoqatat. Por cilat janë disa nga efektet, që rrjedhin nëse Gjykata rrëzon kërkesën e ushtarakëve? Sipas shoqatave, janë rreth 4 mijë persona, që kanë fituar gjyqin apo janë ende në proces që preken nga vendimi, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë shtetit shuma, që variojnë nga 2 milionë, deri në 37 milionë lekë të vjetër, shkruan Panorama.
E gjithë kjo e ka bazën në mënyrën e përllogaritjes së pensioneve dhe veçanërisht rikthimin edhe një herë në fuqi të nenit 29 dhe ligjit të 2009. Por efektet negative nuk nisin dhe nuk përfundojnë me krijimin e debitorëve. Nga vendimi cenohet edhe skema për llogaritjen e pensioneve të parakohshme.
SKEMA
Mbi bazën e nenit 29, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ushtarakët, që plotësojnë vjetërsinë, përkatësisht 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat. Masa e përfitimit llogaritet sipas skemës: 50% e pagës referuese, mbi të cilën është derdhur kontributi dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit, mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese. Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, e cila aktualisht është në vlerën e 26 mijë lekëve. Por për shoqatat, baza e pensionit të parakohshëm duhet të jetë 50% e pagës referuese mujore dhe jo pagës mbi të cilën janë derdhur kontributet. Ndërsa kufizimi i vendosur nuk duhet të aplikohet për vitet e shërbimit në ushtri, por për shtesën 2%, që aplikohet për çdo vit ekstra, krahas 15 viteve që është pragu. Është pikërisht kjo shumë, që nuk duhet të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi dhe jo tërë masa e pensionit, sikundër sanksionon Gjykata e Lartë.
PADIA
Përballja e ushtarakëve në Kushtetuese nuk është e para. Pavarësisht qëndrimeve që ky institucion ka mbajtur ndaj kësaj kategorie, duke i rrëzuar në dy kërkesat e mëparshme, shoqatat sërish nuk e kanë humbur besimin. Në muajin shtator, ato i janë drejtuar Kushtetueses duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kujtojmë që shoqatat i janë drejtuar Gjykatës në 2006-n dhe në 2009-n. Më i debatuar ndër to ka qenë ligji i miratuar në 2009-n, që parashikonte rillogaritje të pensioneve për rreth 20 mijë ushtarakë të dalë në pension. Kushtetuesja vendosi ta lërë në fuqi me argumentin se unifikon kushtet dhe masën e përfitimeve suplementare për disa kategori përfituesish dhe është në shërbim të interesit publik. Por me sa duket, beteja për ligjin e 2009- s dhe aktin normativ të 2010-s nuk ka përfunduar. Ushtarakët nuk janë mjaftuar vetëm me fshirjen e borxheve dhe kthimin pas të lekëve, ata kanë kërkuar nga Kryeministri Rama që të shfuqizojë këtë bazë ligjore, pasi vetëm në këtë mënyrë ajo nuk do të bëhet premisë për krijimin e debitorëve të rinj në radhët e tyre.