10:04 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / C E

Sot hidhet shorti i finaleve të Ligës së Kombeve

Pas përfundimit të fazës së grupeve, sot do të hidhet edhe shorti për fazën finale të Ligës së Kombeve, ku katër fitueset e grupeve të Ligës A do të garojnë për të fituar edicionin e dytë të kompeticionit më të ri të UEFA-s.

Kështu ceremonia e shortit do të startojë në orën 17:30 në zyrat qendrore të UEFA-s në Nyon, ndërsa Italia, Belgjika, Franca e Spanja do të jenë skuadrat që do të garojnë për të fituar trofeun.

Dy gjysmëfinalet e kësaj faze janë parashikuar për t’u zhvilluar më datat 6 dhe 7 tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa finalja e madhe dhe sfida për vendin e tretë do të luhen më datën 10 tetor 2021.

Teorikisht faza finale e kompeticionit duhet të luhet të Itali, duke qenë se “të kaltrit” janë fituesit e grupit 1 të Ligës A dhe nëse autoritetet italiane japin miratimin, atëherë ndeshjet do të zhvillohen në Milano e Torino, ndërsa plani B janë Holanda ose Polonia.

Gjithsesi stadiumet ku do të luhen finalet dhe oraret e tyre, do të njoftohen nga vetë UEFA-ja në përfundim të shortit të sotëm.