07:35 / E Hënë, 24 Janar 2022 / MSH

Sot mblidhet Kuvendi për seancë të jashtëzakonshme

Në mesditë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në rend të ditës: shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Debati parlamentar vjen pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se do të shqyrtojë tarifat e energjisë elektrike, në bazë të kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes KEDS, si dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike, KESCO.

Paralajmërimi i ZRrE-së ka nxitur një reagim të jashtëzakonshëm, si tek deputetët, ashtu edhe te qytetarët.

Shqetësimet për shtrenjtim janë ngritur në Kuvend qysh seancën e kaluar, që u mbajt ditën e enjte.

AAK-ja propozoi një projekt-rezolutë përmes së cilës kërkohej që të mos ketë ngritje të çmimeve, por ajo nuk u miratua pasi nuk gjeti mbështetjen e Vetëvendosjes, që ka edhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.

Ndërkohë, mëngjesin e djeshëm, u lëshua për funksionim Termocentrali “Kosova B”, i cili, sipas kryeministrit Albin Kurti, vendit o t’i kursejë deri në 1.4 milionë euro import të energjisë në ditë.

Ndërkaq, ditë më parë, Qeveria ndau 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset që preken nga kjo rritje./Indeksonline/