09:42 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Hapen sot, në Shqipëri, ambientet e mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave

Tiranë, 1 tetor – Nga dita e sotme qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të konsumojnë një kafe në ambientet e brendshme të lokaleve! 1 tetori shënon hapjen e ambienteve të mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave, pas rreth 7 muajsh të mbyllura. Megjithatë, hapja e tyre do të bëhet nën masa të rrepta sigurie.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike protokollet e sigurisë që duhet të zbatojnë këto biznese. Në protokoll thuhet se në ambientet e mbyllura të bareve, restoranteve duhet të ketë një korridor të dedikuar për klientët deri në arkë dhe një korridor për daljen nga ambienti në mënyrë që klientët të mos “përplasen” përballë mes tyre.

Nuk ka më vetë-shërbim, ndërsa lokalet duhet të shërbejnë me menu elektronike ose të plastifikuara që të dezinfektohen vazhdimisht. Duhet garantuar distanca 1.5 metër mes klientit dhe stafit, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë me njëra-tjetrën 2 metra në të gjitha drejtimet.

Nëse pagesa bëhet në arkë duhet vendosur një xham peçigllazi midis punonjësit dhe klientit Pastrimi, dezinfektimi dhe ajrosja e bareve dhe restoranteve duhet të jetë në mënyrë të përsëritur disa herë në ditë, që nga ambientet deri tek dorezat e dyerve, tavolinat, tabakatë dhe çdo sipërfaqe tjetër. Ajrosja e tyre duhet të bëhet në mënyrë natyrale 5 herë në ditë dhe dezinfektim total të paktën 3 herë, në hapje të aktivitetit, gjatë ditës dhe para mbylljes së tij.

Asnjë personel s’do të lejohet të punojë më temperaturë 37.5 dhe secili prej tyre është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të infektuar. Për çdo simptomë të shfaqur duhet lajmëruar mjeku i familjes ose 127, ndërsa mbajtja e maskave është e detyrueshme për personelin.

Sa u përket pishinave të mbyllura, ajo që theksohet është se evidentimi qoftë edhe të një rasti të vetëm në strukturat e tyre do të sjellë mbyllje të aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik. Ato do të funksionojnë me orar dhe numri i frekuentuesve do të përcaktohet në varësi të hapësirës së biznesit/Shqiptarja…