08:32 / E Martë, 22 Tetor 2019 / indeksADMonline

Nesër finalizohet procesi i rinumërimit, hapet rruga për numërimin e votave të tjera

Sot pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave nga 530 vendvotimet dhe pas këtyre numërohen votat e tjera të mbetura.

“Deri mbrëmë janë rinumëruar votat e 390 vendvotimeve nga 530 dhe sot sërish do të vazhdojë procesi me 140 vendvotimet e mbetura dhe për të përmbyllur procesin e rinumërimit”.

“Këto vendvotime të mbetura kanë edhe numrin më të madh të pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe ndoshta këto marrin më shumë kohë”.

“Besojmë se nesër do të arrijmë të mbyllim këtë rinumërim për t’i hapur rrugë numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuar”.

“Menjëherë pas rinumërimit besoj se do të numërojmë ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Të gjitha këto do të numërohen se shpejti dhe do t’i bashkohen rezultatit të përgjitshëm”.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë se këto zgjedhje kanë qenë të mira duke e pasë parasysh edhe sfidën e kohës së përgatitjes së KQZ-së. Ai gjithashtu tregoi edhe pse ndodh që disa vota të rinumërohen.

“Arsyeja pse disa vota duhet rinumëruar është se kur ato vijnë në QNR ku grumbullohet materiali zgjedhor bëhet evidentimi i tyre dhe futen në sistem e ku mund të evidentohen parregullsitë”.

“Këtë herë gabimet kanë qenë për shkak të gabimit teknik të formularëve të KQZ-së. 530 vendvotimet e fundit problemet kanë qenë në mospërputhjen e votave të subjekteve dhe kandidatëve”.

“Rinumërim ka pasur edhe në proceset zgjedhore të kaluara dhe janë të domosdoshme për të saktësuar gjendjen e një vendvotimi. KQZ-ja ka thënë edhe në të kaluarën se saktësia e procesit është e domosdoshme dhe jo shpejtësia. Për ne ka rëndësi çdo votë që hidhet në kuti”.

Elezi ka thënë se numri i 40 mijë votave të pavlefshme është i madh, por do të analizohen arsyet pse po ndodh kjo. Ai tha se edhe herët e kaluara ka pasë vota që qëllimisht janë bërë të pavlefshme, por edhe të tilla që votuesit nuk kanë ditur t’i plotësonin formularët. Për këtë ai i mbetet KQZ-së që të bëjë sa më shumë fushata dhe për të përçuar mesazhin te secili votues.