Spahiu: E frikshme dhe e dëmshme të mos kemi qeveri në këtë kohë

Ngërçi institucional po e dëmton vendin si në proceset e brendshme, ashtu edhe në rrugën integruese, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, i cili thotë se mungesa e qeverisë në këtë kohë “është shumë e dëmshme dhe e frikshme”.
Kosova është në krizë institucionale – pa kuvend funksional, edhe pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të kuvendit, për çka partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë pozitë. Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.
“Është shumë e thjeshtë, nëse ka vullnet politik dhe nëse arrihet një konsensus, duhet një komunikim ndërpartiak për ta kaluar këtë situatë. Partia që ka fituar shumicën e ka, po ashtu, zgjidhjen në dorë, nëse nuk kalon një kandidat shumë herë atëherë mund të paraqitej një tjetër dhe kjo nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme… Nga ky aspekt lehtë do të mund të zgjidhej një çështje, po ashtu nga ana tjetër e partive opozitare është një kryengritësi që në asnjë mënyrë nuk pranojnë të gjejnë një zgjidhje, por kanë marrë një pozicionin të palëkundshëm dhe kërkojnë me çdo kusht që partia e parë të bëjë ndryshimet dhe këta nuk janë të gatshëm të bëjnë një kompromis”, thotë Spahiu.