15:04 / E Hënë, 13 Korrik 2020 / indeksADMonline

Spitali e deklaroi “të vdekur”, familja e gjen gjallë pasi u fut në morg

Familja në Sincelejo, Kolumbi, nuk u besoi mjekëve që thanë se Juan Jose Munoz Romero, 67 vjeç, kishte vdekur vetëm disa orë pasi u kthye në spital nga presioni i gjakut.

Kështu familja e tij shkoi në morg, vetëm për ta gjetur të gjallë, shkruan Mirror, transmeton Indeksonline.

Familja kolumbiane e gjeti Juan Jose Munoz Romero, 67 vjec, të zgjuar dhe me sytë e hapur, pasi një prej vajzave të tij depërtoi në spital.

Mjekët në spitalin e qytetit të Sincelejo, në rajonin Karaibe të Sucre, Kolumbi, e kishin deklaruar Romeron të vdekur, disa orë më parë.

Por familja e tij nuk mund ta besonte dhe kërkoi ta shihte.

Romero ishte dërguar në klinikën shëndetësore Las Penitas, me presion të lartë të gjakut, sipas raporteve në mediat kolumbiane.

Gazeta lokale El Heraldo raporton se mjekët në klinikë i thanë familjes së pacientit, më 6 korrik, se ai kishte vdekur dy orë pas hyrjes në spital.

Vajza e tij, i tha El Heraldo se ata nuk u lejuan të shihnin trupin e babait të saj për shkak të protokolleve të koronavirusit.

Sidoqoftë, ajo më vonë u fut në morgun e spitalit kur mjekët u shpërqendruan dhe thotë se e gjeti babanë e saj të gjallë brenda.

Tani, Romero po kurohet në klinikën La Concepcion.

As klinika Las Penitas dhe as autoritetet lokale të shëndetësisë nuk e kanë komentuar rastin në shtypin lokal.

Familja raportohet se po mendon të ndërmarrë veprime ligjore kundër klinikës./Indeksonline/