20:38 / E Diele, 11 Tetor 2020 / indeksADMonline

Sqarohet Mustafa: Katër vitet e fundit s’kam marrë asnjë pagë si profesor në UP!

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi të bërë në FB, ka sqaruar opinionin në lidhje me një artikull në të cilin thuhej se sa ishte kryeministër ka marrë pagë katër vite si profesor në UP.

Derisa i njëjti, batës të kësaj fushate denigruese e quan deputetin e VV-së, Mefail Baqinovcin.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

Dje qytetarët tanë u dezinformua se unë, si ish Kryeministër i Republikës së Kosovës, në cilësinë e profesorit të rregullt të Fakultetit Ekonomik, kam marrë pagë katër vitet e fundit nga UP “Hasan Prishtina” pa shkuar asnjë ditë në Fakultet. Bartës të kësaj fushate denigruese ishte Gazeta Blic dhe deputeti i VV, Mefail Bajçinovci. Nga ky i fundit u akuzova se e kam zhvatur buxhetin e Kosovës.

Sot, Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” me një kumtesë sqaroi se nga dhjetori i vitit 2016 , UP nuk e ka ekzekutuar asnjë pagesë në llogarinë time. Do të thotë nuk kam marrë asnjë pagë.

Puna me studentë, për mua ka qenë puna më e dashur që e kam bërë në jetën time. Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti Ekonomik janë tempuj të dijes por edhe tempuj moral që nuk ka të drejtë askush ti keqëpërdorë për motive të ulëta politike.

Me kënaqësi do të vazhdoja të mbaj mësim në studimet master, ashtu siç më janë besuar orët nga dekanati i Fakultetit Ekonomik, por sëmundja që më kapi në fillim të vitit 2018 nuk ma lejoi këtë mundësinë që të jem me studentët në sallë.

Falënderoj UP “Hasan Prishtina” për sqarimin dhe informimin e drejtë të opinionit.

Ftoj Gazetën Blic dhe deputetin Baqinovci të më kërkojnë falje publike mua si dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për këtë dezinformim të qëllimshme. IM