Statovci: Nuk është Serbia palë e diskutimit për hapjen e urës së Ibrit
Deputetja, Jeta Statovci, ka thënë se me Serbinë nuk do të diskutohet në Bruksel për çështjen e hapjes së urës së Ibrit.
Ajo ka thënë se kjo çështje është e mbyllur dhe se Serbia nuk është palë në këtë temë.
Statovci në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 ka thënë se qëndrimi i Qeverisë është që ura duhet të hapet, por në koordinim edhe me aleatët.
“Diskutimi për hapjen e urës së Ibrit në Bruksel është çështje e mbyllur, nuk është Serbia palë për të diskutuar për këtë. Kemi qenë të qartë se ura duhet të hapet, mirëpo gjithashtu është në rregull që ky proces të jetë në koordinim me ata të cilët ne i konsiderojmë partnerë dhe i konsiderojmë aleatë”, tha ajo.
Statovci ka thënë se janë të vetëdijshëm për situatën gjeopolitike dhe rrethanat që ngritin partnerët.
“Padyshim që jemi shumë të vetëdijshëm për aspektin gjeopolitik dhe rrethanat e tjera të cilat edhe ngriten nga partnerët tanë, kështu që këtë do ta realizojmë edhe me diskutim me qytetarët tanë që preken nga ky vendim, por edhe me akterët ndërkombëtarë për çështje të sigurisë që ata i mbulojnë, siç është KFOR-i”, ka thënë Statovci.
E pyetur për pjesëmarrjen e zyrtarëve të NATO-s në takimin e së martës në Bruksel, ku zëvendëskryeministri Bislimi u takua me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, tha se as NATO nuk kërkon që hapja e urës së Ibriti të diskutohet në dialog.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën pas takimit trepalësh në Bruksel fajësoi Serbinë, për, siç tha ai, tentim për të imponuar agjendën.
Pas takimit reagim ka pasur edhe NATO. Në reagimin thuhej se në mënyrë që të mos rrezikohen trupat e saj dhe komuniteti lokal, hapja e urës qendrore në Mitrovicë duhet të vendoset në dialog.
“Goffus theksoi nevojën për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme [rreth Urës së Ibrit]. Vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, thuhet në komunikatë.