STINA E KOALICIONEVE DHE TË PAPRITURAT
Për
fëmijët e Kosovës, për ardhmërinë tonë të përbashkët ia vlen të provojmë një
stil tjetër bashkëqeverisjeje, duke flakur të gjitha recidivat negativë të së
kaluarës, kur njerëzit kreativë zëvendësoheshin me ushtarë partiakë
Nga Mehmet PRISHTINA
Pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë, ende pa i skaduar mandati kushtetues prej katër vjetësh, tash e tutje betejat politike parazgjedhore pritet të bëhen më dinamike. Ka mbetur vetëm që presidenti i vendit, Hashim Thaçi të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për lidhjen e koalicioneve të reja parazgjedhore. Dhe këtu asgjë të keqe s’ka, por mbetet të shihet se sa garantojnë këto bisedime ndërpartiake një perspektivë ndryshe politike e ekonomike të vendit.
Nga një vëzhgim sipërfaqësor, duket se gjithçka
është në rregull. Secili po mundohet të gjejë një partner të përshtatshëm me të
cilin mendon se do të ketë më tepër gjasa për ndonjë bashkëqeverisje eventuale.
Por, në fakt a është pikërisht kështu, nëse iu bëjmë një analizë më të thellë
lëvizjeve të fundit?
Parimisht secili subjekt politik ka të drejtë të bëjë koalicion para dhe pas
zgjedhor dhe secili i ka arsyet dhe motivet e veta për të ndërtuar një
partneritet politik me atë subjekt që mendon se do ta ketë më lehtë t’i
realizojë përcaktimet programore në qeverisjen e ardhshme të vendit.
Kur është në pyetje realiteti politik në Kosovë,
parimet jo rrallë janë në fundin e listave prioritare, prandaj nuk është për
t’u habitur nëse në momentin e fundit nuk ndodhin koalicionime të çuditshme që për
shumë kënd do të ishin më shumë se befasi. Kjo edhe ka ndodhur në të kaluarën
kur koalicionet ishin të zorit e jo të parimeve dhe si të tillë prodhonin kriza
të vazhdueshme institucionale. Këto koalicione gjithmonë kishin një kundërshtar
të përbashkët, dhe koekzistenca pastaj nuk ndërtohej mbi gjetjen e formulës së
përbashkët të bashkëqeverisjes, por në krijimin e alibive për ta luftuar
kundërshtarin e përbashkët politik.
Tani për tani, se si do të rrjedhin punët rreth koalicionimeve të mundshme,
është mirë t’ia lëmë kohës.
Por në anën tjetër, diçka që nuk mund t’ia lëmë kohës
është vetëdijesimi qytetar që duhet të ndodhë para se politika t’i krijojë
sërish shabllonet e veta për dominimin e
radhës. Qytetarët e Kosovës në këto vite, me votën e tyre, kanë
mandatuar shumë qeveri, ndonëse shumica prej tyre nuk arritën deri në fund ta
harxhojnë mandatin kushtetues. Kjo dëshmon se në vend të parimeve
bashkëqeverisëse ishin zgjedhur ndërskamsat, kurse në vend të vizionit
zhvillimor ishin zgjedhur taktikat klienteliste për të monopolizuar resurset
ekonomike e biznisore.
Një udhë që është bërë në ndërtimin e institucioneve dhe politikave
shtetndërtuese, është e mjaftueshme për të vazhduar ecjen pa u ndalur, por me
një dinamikë dhe me një vizion krejt tjetër. Kjo do varet parasegjithash nga
ata që në katër vjetët e ardhshme do të (bashkë)qeverisin vendin. Do të varet
nga ata që në start do të hartojnë një platformë mbi të cilën do të vendosin
prioritetet dhe kauzat kryesore.
Kosova është një vend me resurse të shumta natyrore e agrare dhe me një rini që
potencialisht i plotëson të gjitha kushtet për të qenë krah i fortë i
zhvillimit të vendit. Por ky fakt është i pamjaftueshëm për t’u llogaritur si
garanci e bashkëqeverisjeve të ardhshme, nëse paraprakisht nuk evitohen një
mori pengesash që kishin frenuar zhvillimin normal të vendit tonë. Parasëgjithash
nëse nuk shkulet me rrënjë kultura e mosndëshkimit të politikanëve të
korruptuar e kriminalizuar dhe nëse nuk kthehet te sovrani gjithë prona e
grabitur, Kosova e ka vështirë të shkruaj histori suksesi në periudhën e
ardhshme. Rinia jonë pret të angazhohet sipas dijeve të fituara gjatë
shkollimit dhe tregu ynë është mjaft i etur për prurje të reja nga bankat e
universiteteve. Por, kjo rini nuk mund të angazhohet me automatizëm nëse nuk
krijohet një strategji efikase për vende të reja të punës, jo sipas klientelizmave
partiakë që prodhonte më shumë votues e
më pak kuadro që do t’i hynin në punës ekonomisë dhe industrisë së vendit. Mbi 60 për qind e tokës së Kosovës tani për
tani nuk punohet, ndërkohë që tregu i ynë mbi 80 për qind është i varur nga
importi. Ky realitet antizhvillimor duhet patjetër të përmbyset në favor të
fermerit vendor, në favor të prodhuesit individual dhe në favor të ekspertit i
cili nuk duhet të mendojë të ikë jashtë për të marrë një pagë të dinjitetshme.
Për fëmijët e Kosovës, për ardhmërinë tonë të përbashkët ia vlen të provojmë një stil tjetër bashkëqeverisjeje, duke flakur të gjitha recidivat negativë të së kaluarës, kur njerëzit kreativë zëvendësoheshin me ushtarë partiakë.
Prishtinë,
22 gusht