16:28 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Strakosha me statistika më të mira se De Gea dhe Ter Stegen

Thomas Strakosha është portieri i ri më i mirë në Europë, ndërsa qëndron përkrah emrave më të mëdhenj të portës në nivel kontinental. Përfundimi ka ardhur bazuar në statistikat e paraqitjeve të talentit shqiptar me Lazio-n gjatë gjysmës së parë të sezonit. 22-vjeçari kuqezi është kthyer në një garanci për portën, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ecurinë mbresëlënëse të Lazios. Mjafton të kujtosh 11-metërshin e neutralizuar të Dybala në duelin me Juventusin, apo pritjen ndaj Chiesa-s së Fiorentinës, që i dhuroi Lazios kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Thomas Strakosha nuk paguhet 6 milionë euro në sezon, por në klasifikimin special të portierëve më të rinj në ligat më të forta europiane pozicionohet i pari për numrin e pritjeve të realizuara në këtë edicion. 67 pritje përballë 45 të Gigio Donnarumma-s së Milanit, që renditet vetëm i pesti. Në podium pas shqiptarit janë 18-vjeçari i Toulouse, Alban Lafont dhe Bingourou Kamara i Strasbourg.

Strakosha është edhe mes 10 portierëve më të fort në nivel europian, duke llogaritur që numri i pritjeve mesatare për ndeshje është më i lart se David De Gea i Manchester United, Ter Stegen i Barcelonës apo Burki i Borussia Dortmund. Gjithashtu mes të rinjve, kuqezi spikat edhe për lojën me këmbë, pasi kalon Donnarumman edhe përsa i takon pasimeve gjatë ndeshjeve. Në këtë renditje të veçantë, Thomas kalon edhe Allisson të Romës, Courtois të Chelsea, De Gea të Manchester United dhe Pepe Reina të Napolit.

Bazuar në notat e ndeshjeve, shqiptari cilësohet portieri më i mirë i Serisë A deri në këtë pjesë të sezonit dhe jo rastësisht ndodhet në formacionin më të mirë të kampionatit italian. Paraqitjet dhe statistikat tregojnë se interesimi nga Juventusi, që e vlerëson si kandidatin më të mirë për të qenë pasardhës i Gianluigi Buffon nuk është i rastësishëm. Marotta dëshiron ta afrojë patjetër në skuadër, megjithatë misioni nuk është i lehtë, pasi Thomas Strakosha pëlqehet edhe nga Napoli e Milani, por mbi të gjitha ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të mëdha nga ligat e tjera europiane.