13:30 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

Studentët ankohen se iu vodhën gjësendet në Konvikte, rastet do të hetohen nga Policia

Ka dy ditë që në Qendrën e Studentëve, studentët kanë filluar të tërheqin gjësendet e tyre nga konviktet, të cilat vazhdojnë të shfrytëzohen si karantinë për të gjithë të kthyerit nga shtetet e ndryshme në Kosovë.

Me fillimin e këtij procesi kanë ardhur edhe ankesat e studentëve banues të këtyre konvikteve, e të cilët po ankohen se u mungojnë disa nga gjërat që i kishin lënë në dhomat e tyre.

Në anën tjetër drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, për IndeksOnline ka treguar se procesi i tërheqjes së gjësendeve aktualisht po zhvillohet pa ndonjë problem të madh, por nuk i ka përjashtuar ankesat e studentëve që janë bërë gjatë këtyre dy ditëve të para.

“Ky proces deri më tash po vazhdon mirë, në masën më të madhe është ka realizohet mirë. Dje ka përfunduar  tërheqja e gjësendeve nga dy konviktet, nga konvikti numër 3 dhe nga konvikti numër 8. Gjatë këtij procesi, dje dhe pardje, kemi pranuar disa ankesa nga disa studentë, të cilët kanë paraqit disa mungesa të rrobave, të gotave të gjësendeve të imta”, ka treguar Sfishta për IndeksOnline.

Ai ka thënë se të gjitha këto ankesa do t’i adresojnë në Policinë e Kosovës dhe së të gjitha rastet do të trajtohen.

“Qendra e Studentëve në bashkëpunim me policinë, jemi duke i grumbulluar ankesat dhe do t’i trajtojmë një nga një ato. Këto dy konvikte kanë qenë të populluar me të karantinuar gjatë kësaj kohe”, tha Sfishta.

Sfishta ka treguar se si Qendrën e Studentëve mbajnë evidencë për secilin person që ka qenë i vendosur në  karantinë andaj dhe nuk do të jetë e vështirë të identifikohen persona të  cilët potencialisht kanë mundur të marrin gjësendet e studentëve.

“Ne i kemi të dhënat, kemi mbajt evidenca për çdo hyrje e dalje dhe i dimë këto të dhëna dhe në rast se i kërkon policia, për hetim të mëtutjeshëm sepse ne si Qendër e Studentëve nuk kemi të drejtë, ne mund t’i ofrojmë të dhëna policisë, sigurisht do t’i kenë në dispozicion të dhënat se kush në çfarë kohe ka banuar në x, y dhomën”, theksoi Sfishta.

Ai ka porositur studentët  që të mirëkuptojnë QS pasi që në kohën e karantinës ata nuk kanë mundur të shtrijnë kontrollin e plotë në këto konvikte  ku kanë qenë të karantinuarit.

“Ndihma më e madhe, e tyre është që të na mirëkuptojnë sepse Qendra e Studentëve si karantinë ka qenë në situatë të jashtëzakonshme dhe emergjente dhe në ato rrethana ne nuk kemi mundur të shtrijmë kontrollin ku kanë qenë të karantinuar”, tha ai.

Sfishta ka ripërsëritur sërish deklaratën e tij se të gjithë studentët e kanë ditur dy ditë më parë që duhet t’i tërheqin gjërat që atyre iu duhen nga dhomat ku kanë banuar.

Ndryshe Sfishta bëri të ditur se sot ka filluar të bëhet tërheqja e gjësendeve të studentëve në konviktet numër 1 dhe 4./IndeksOnline/