08:15 / E Mërkurë, 07 Prill 2021 / OSH

Studimet kanë konfirmuar se të vaksinuarit mbrojnë njerëzit e pavaksinuar

Shkalla e infektimit në Izrael ka rënë ndjeshëm javët e fundit. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse është provuar se një person që ka marrë vaksinën Pfizer, që do të thotë gjysma e popullsisë izraelite, vështirë se do të infektohet me COVID-19.

Shkencëtarët vërejnë faktin se njerëzit që janë të infektuar me coronavirus vetëm pas vaksinës së parë kanë një ngarkesë më të ulët virale dhe për këtë arsye ka më pak të ngjarë të transmetojnë virusin, transmeton Telegrafi.

Por ende nuk është plotësisht e qartë se si pasqyrohet ky fakt në realitet: A janë njerëzit e pavaksinuar në të vërtetë më të sigurt kur vaksinohen ata përreth tyre?

Kjo është një çështje e rëndësishme duke pasur parasysh që edhe pse vaksinat pritet të aprovohen së shpejti për fëmijët 12 vjeç e lart, personat nën 12 vjeç do të mbeten të pavaksinuar për një të ardhme të parashikueshme. Gjithashtu, afërsisht një milion izraelitë të rritur nuk janë vaksinuar. Punonjësit e shëndetësisë presin që vetëm gjysma e tyre do të pranojnë vaksinimin, raporton thetimesofisrael.

Studimi i ri tregon se njerëzit e vaksinuar mbrojnë njerëzit përreth tyre. Studiuesit shqyrtuan të dhënat mjekësore të fëmijëve në 223 komunitete izraelite, të cilët ende nuk mund të marrin vaksina. Ata zbuluan se sa më i përhapur ishte vaksinimi mes anëtarëve të moshuar të komunitetit, aq më pak kishte gjasa që fëmijët të kishin një test pozitiv.

“Këto rezultate japin prova se vaksinimi jo vetëm që mbron të vaksinuarit individualisht, por gjithashtu siguron mbrojtje të tërthortë për njerëzit e pavaksinuar në komunitet”, shkruan studiuesit nga Instituti Izraelit i Teknologjisë.

Studimi, i botuar në internet, shqyrtoi shkallën e vaksinimit tek të rriturit në interval tre javë, krahasuar me të dhënat e testit të coronavirusit nga fëmijët vendas 35 ditë më vonë. Ata gjetën një korrelacion të qartë midis shkallës së vaksinimit të të rriturve dhe shkallës së rënies së rezultateve pozitive midis testeve të fëmijëve.

“Ne zbuluam se nivelet më të larta të vaksinimit shoqëroheshin me një normë më të ulët infeksioni më vonë në mesin e grupit të pavaksinuar”, thanë studiuesit, Tal Patalon dhe Roy Kishony.