17:21 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Studimi i “Cambridge”: Mbi 60% në Kosovë të kënaqur me demokracinë, në SHBA rekord negativ

Pakënaqësia me demokracinë brenda vendeve të zhvilluara është në nivelin e saj më të lartë në pothuajse 25 vitet e fundit, sipas studiuesve të University of Cambridge.

Akademikët kanë analizuar atë që ata thonë se është e dhëna më e madhe globale mbi qëndrimet ndaj demokracisë, bazuar në 4 milionë njerëz – në 3.500 sondazhe.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kishin nivele veçanërisht të larta të pakënaqësisë, shkruan IndeksOnline.

“Në të gjithë globin, demokracia është në gjendje negative,” tha autori i raportit Roberto Foa.

Studimi, nga Qendra e Universitetit të Kembrixhit për Ardhmërinë e Demokracisë, ka gjurmuar pikëpamjet e demokracisë që nga viti 1995 deri në vitin 2019, me shifrat që tregojnë se proporcioni i pakënaqur po rritet nga 48% në 58%, niveli më i lartë i regjistruar.

Hulumtimi, që përfshin 154 vende të botës, bazohet në pyetjen e njerëzve nëse ata janë të kënaqur ose të pakënaqur me demokracinë në vendin e tyre.

Sidoqoftë, studiuesit vunë re se ata kishin gjetur një “ishull të kënaqësisë” në Evropë, ku kënaqësia për demokracinë kishte arritur në nivelet më të larta ndonjëherë. Danimarka, Zvicra dhe Norvegjia ishin midis vendeve që hynë në atë kategori.

Ndërkohë Shqipëria është në të njëjtin nivel me të gjitha shtetet e rajonit përveç Kosovës. Në Shqipëri qasja ndaj demokracisë varion nga 20 deri në 50%. Ndërsa mbi 60% e kosovarëve janë të kënaqur me demokracinë e tyre.

Shtete si Britania e Madhe por edhe Amerika renditen në të njëjtin nivel me Shqipërinë, sa i përkët indeksit të pakënaqësisë me demokracinë. /IndeksOnline/