14:20 / E Diele, 23 Janar 2022 / MSH

Sulm në një burg në Siri, ndizen përleshjet

Luftime intensive po zhvillohen në veri-lindje të Sirisë, pasi luftëtarët e Shtetit Islamik (IS) u përpoqën të largonin të burgosurit nga një burg i drejtuar nga kurdët.

Forcat e udhëhequra nga kurdët, të mbështetur nga sulmet ajrore të SHBA-së, kanë luftuar me militantët në qytetin Hasaka që nga e enjtja, shkruan BBC.

Sulmi në burgun Ghwayran është një nga më “ambiciozët” e grupit që nga humbja e tij në Siri gati tre vjet më parë, transmeton Indeksonline.

Vendi i mbipopulluar strehon 3,500 anëtarë të dyshuar të IS, duke përfshirë disa nga udhëheqësit e tij, thotë një grup monitorues.

Qindra xhihadistë janë rikapur që nga shpërthimi, por disa janë ende në arrati, deklaroi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Forcat kurde të sigurisë kanë rrethuar burgun dhe po luftojnë për kontrollin e lagjeve aty pranë. 

Ndërkaq, banorët janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Observatori Sirian thotë se të paktën 77 anëtarë të IS dhe 39 luftëtarë kurdë, duke përfshirë forcat e sigurisë së brendshme, rojet e burgut dhe forcat kundër terrorizmit, janë vrarë në dhunë brenda dhe jashtë burgut që nga fillimi i sulmit.

Ndërkohë, Shteti Islamik pretendoi në një video më 22 janar se shumë nga anëtarët e tij ishin liruar në sulmin në burg. Pamjet shfaqnin gjithashtu militantë q[ po mbanin një numër pengjesh.