15:44 / E Martë, 03 Nëntor 2020

Sulmi i Vjenës dhe nevoja për një qasje serioze në raport me diasporën shqiptare

Shkruan: Valon Murati

1. Sulmet terroriste duke u thirr në fenë islame po tronditin këto ditë pandemie Evropën. Të gjithë po solidarizohemi me Francën e Austrinë e me të drejtë po i dënojmë sulmet. Në këtë vorbull sigurisht askush nuk ka pritur që të dëgjohet edhe për emra shqiptarësh ndër sulmuesit. Po dalin emra të tjerë ndër policët heronj që janë shqiptarë e po ashtu edhe një ndër viktimat. Ndonëse këto dëshmojnë se shumica e shqiptarëve janë qytetarë shembullorë të Austrisë, këto nuk e zbusin problemin. Sulmi në Vjenë dhe përfshirja e shqiptarëve atje është një alarm për shqiptarët kudo e sidomos për shtetet tona Kosovën e Shqipërinë por edhe Maqedoninë e Veriut. Ky sulm vë në pah edhe njëherë raportin që duhet të ndërtojmë me diasporën tonë dhe përgjegjësitë tona si shtete për organizimin sa më të mirë të diasporës shqiptare. Përgjegjësitë e njerëzve domosdo që janë individuale, ashtu si aktet e tyre dhe asnjë popull e fe nuk mund të akuzohet për sulmet e individëve, edhe kur ata janë pjesë e grupeve të organizuara terroriste apo kriminale. Sidoqoftë, jashtë përgjegjësisë individuale, duhet një mobilizim i diasporës e mbi të gjitha i shteteve tona për një organizim më të mirë të diasporës rreth vlerave kombëtare, qytetare e njerëzore, sepse ka një problem që duhet adresuar. E ai është pikërisht radikalizimi i një pjese të rinisë sonë, sado i vogël në numër.

2. Raporti me diasporën shqiptare duhet të jetë më kompleks dhe më i organizuar. Zakonisht diaspora nga këtu është parë nën prizmin e sukseseve të saja atje, të ndihmave financiare që i dërgon në Kosovë dhe të votave që mund të sjell për subjekte të caktuara politike. Është e vërtetë që shumica e shqiptarëve që jetojnë në Evropën Perëndimore por edhe në vendet e tjera janë të integruar mirë dhe janë qytetarë model të vendeve ku jetojnë. Për më tepër gjeneratat e reja çdoherë e më shumë po bëhen pjesë e shoqërive ku jetojnë duke u ngjitur majave të suksesit në shumë lëmi të ndryshme. Sidoqoftë është një pjesë e vogël që mbetet e margjinalizuar dhe potencialisht e brishtë e me mundësi radikalizimi fetar. Është kjo pjesë e pa integruar mirë në vendet ku jeton, ose me probleme identitare e cila rekrutohet më së lehti nga elementet ekstremiste të islamit politik. Sigurisht që luajnë rol edhe proceset dinamike të globalizimit, hyrja e teknologjisë informative në jetën tonë individuale, sociale e familjare, mbyllja në vetvete dhe probleme të tjera sociale tipike për moshën e adoleshencës, atomizimi dhe ndarjet e familjeve të mëdha partriarkale, dëshpërimet me situatën politike në atdhe etj. Të gjitha këto nën ndikimin kryesisht të imamëve që nuk janë shqiptarë, ose janë shqiptarë të radikalizuar në mënyrën e vet kanë bërë që rruga e radikalizimit të duket një rrugë e shpëtimit nga ferri dhe rrugë drejt parajsës së premtuar.

3. Në këtë drejtim Shqipëria, Kosova e besa edhe Maqedonia e Veriut nuk i kanë bërë hapat e duhur. Diaspora jonë nuk duhet të lihet e vetmuar dhe pa dorën e shteteve tona. Organizimi i mësimit të gjuhës shqipe, i aktiviteteve kulturore dhe fuqizimi apo krijimi i mekanizmave që merren vetëm me diasporën (qendrat kulturore, shtëpitë e kulturës etj.) janë një ndër rrugët e duhura. Organizimi i mësimit të gjuhës shqipe ndonëse ndihmohet nga Kosova e Shqipëria ende nuk është në nivelin e duhur. Qendrat kulturore që patën filluar të hapen jo vetëm që nuk përkrahen në mënyrën e duhur por nuk është vazhduar me hapjen e qendrave të tjera. Në cilësinë e ish ministrit të diasporës kam bërë përpjekje që të intensifikojë çështjen e mësimit të shqipes në diasporë dhe hapjen e qendrave kulturore. Për këtë janë realizuar edhe një sërë marrëveshjesh me Shqipërinë. Në realizimin e tyre ka pasur barriera financiare dhe ngurtësi nga nivelet e tjera qeveritare që të vazhdohet me dinamikë të shtuar. Për ta realizuar një plan të gjerë të organizimit të mësimit të shqipes ka qenë e planifikuar që Kosova dhe Shqipëria duhet të shpenzojnë bashkërisht diku 1.5 milionë euro në vit. Kjo shifër krahasuar me miliardat që sjellin diaspora në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut është një shifër shpërfillëse. Por ka qenë dhe gjithnjë është vështirë që qeveritarët e ndikuar nga politika ditore të mendojnë pak më strategjikisht. Ndonëse Shqipëria kohëve të fundit me krijimin e resorit të diasporës brenda qeverisë ka bërë hapa tutje, Kosova e cila ka qenë më përpara ka bërë hapa prapa jo vetëm për shkak se e ka mbyllur ministrinë e diasporës por edhe për shkak se nuk e ka ndjekur Shqipërinë në krijimin e mekanizmave të përbashkët si Këshilli Koordinues i Diasporës Shqiptare. Nuk ka sukses në bashkëpunimin me diasporën pa koordinimin në mes të Prishtinës dhe Tiranës.

4. Kam hasur në raste të xhamive nëpër vendbanimet e vogla të Zvicrës ku imamët e tyre u kanë thënë shqiptarëve se ata nuk duhet të mësojnë shqip por vetëm arabisht e gjermanisht dhe se madje ata as nuk duhet ta trajtojnë veten si shqiptarë por vetëm si arab e mysliman. Duke parë radikalizimin e një pjese të vogël të shqiptarëve në Evropën Perëndimore, duke e parë brengën e shqiptarëve atje se një pjesë e të rinjve po radikalizohen, kam pas filluar të bashkëpunojë edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës. BIK-u e di mirë situatën atje por edhe ky mekanizëm e ka të pamundur që vetë pa ndihmën e shtetit të operojë në ambiente të tilla. I shqetësuar nga këto dukuri  çështjen e radikalizimit fetar si brengë ua kam shpreh edhe niveleve më të larta qeveritare në Kosovë dhe Shqipëri, duke ua bërë të qartë se investimet që duhet të bëjmë në diasporë janë të papërfillshme në raport me përfitimet që kemi dhe që do të kishim e në anën tjetër dëmet nga shpërfillja e kësaj problematike do të jenë shumë të mëdha. Ua kam thënë se elementet radikale të diasporës edhe për shkak të ndikimeve familjare e financiare shumë lehtë mund të fillojnë të bashkëpunojnë me elementet radikale këtu dhe problemet të cilat nuk i kemi të vogla në këtë drejtim të na rriten dhe të bëhen të panemaxhueshme. U kam kërkuar strategji për këtë çështje dhe ndërhyrje urgjente të shteteve tona. Në këtë strategji përveç ndërhyrjes në fuqizimin e organizimit të mësimit të shqipes, organizimin e qendrave kulturore, vazhdimin dhe fuqizimin e organizimit të rrjeteve të të rinjve, profesionistëve, e bizneseve, duhet të përpunohet edhe një plan veprimi i përbashkët shtetëror i Kosovës, Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut me BIK-un, Komunitetin Mysliman në Shqipëri si dhe Bashkësinë Islame të Maqedonisë së Veriut që të punohet me këto komunitete ku kanë depërtuar organizime fetare radikale. Gjithashtu duhet të punohet me shtetet pritëse që organizimi fetar i diasporës sonë të jetë i drejtuar nga mekanizmat legal fetar që operojnë në atdhe dhe të mbyllen xhamitë me orientime radikale e pa lidhje me këto mekanizma. Gjithashtu të kërkohet bashkëpunim më i ngushtë me këto shtete për organizimin e mësimit shqip si një element i rëndësishëm i dekontaminimit të radikalizmit fetar. Vështirë është që me përpjekje të ndara të ndërhyhet në këtë komunitet margjinal, por mjaftueshëm i dëmshëm për veten, për shqiptarët dhe për vendet mike ku ata jetojnë.

5. Në këtë përpjekje mund të garantoj që sot që shtetet tona e kanë dorën e zgjatur të qindra mijëra djemve dhe vajzave të mrekullueshme në diasporë e po ashtu të qindra e mijëra intelektualëve, biznesmenëve, politikanëve, sportistëve e aktivistëve të vjetër e të rinj që çdo ditë punojnë me komunitetin shqiptar. Ajo që duhet sot është një përfshirje e jona më serioze institucionale në organizimin e diasporës. Pra përfshirje e shteteve tona, jo e politikës së partive politike sepse vazhdoj të kam bindjen e plotë që po e dëmtojnë rëndë organizimin dhe unitetin e diasporës sonë. Kam qenë kundër organizimit partiak si një mekanizëm që vetëm copëton diasporën, fut energji negative në mesin e njerëzve dhe shpërndan forcat tona atje. Po angazhimit politik në partitë politike të vendeve ku jetojnë dhe përfshirje në jetën institucionale të atyre vendeve. Kjo është rruga e duhur për fuqizimin e diasporës dhe faktorit shqiptar në Ballkan.  

6. Në anën tjetër duhet theksuar se vetëm me fuqizimin e identitetit shqiptar të diasporës sonë ajo mbetet evropiane. Vetëm me këtë karakter identitar ajo edhe më lehtë integrohet në shoqëritë ku jeton sot. Goditja e këtij identiteti viteve të fundit është duke e bërë punën e tij djallëzore. Në Kosovë përpjekjet kosovacentriste për ‘kombin’ e ri kosovar, dhe relativizimi i të gjitha vlerave kombëtare në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut (si psh e figura e Skënderbeut, Rilindja Kombëtare, Lufta për Pavarësi etj.), e hapin kutinë e Pandorës e cila i lë shqiptarët pa identitet të qëndrueshëm dhe mundëson depërtimin e identiteteve të tjera, e sidomos në këto kohët e fundit identitetet ekstremiste të islamit politik. Kombi shqiptar i ndërtuar duke i shkrirë fetë brenda vetes, por jo i ndërtuar mbi një fe, është një komb sekular i cili toleron fetarët dhe jo fetarët, por nuk toleron dominimin e njërës palë mbi tjetrën dhe është barriera më e madhe ndaj çdo ekstremizmi fetar apo edhe ekstremizmi tjetër politik. Përndryshe duke minuar kombin shqiptar dhe shtyllat mbi të cilat ndërtuar ai, vetëdijshëm e pavetëdijshëm po e minojmë shoqërinë tonë sekulare, multikulturore, multifetare si dhe demokracinë tonë evropiane.