23:44 / E Hënë, 27 Mars 2023 / AR

Sulmi mbi Top Channel, Rama: Policia i është afruar autorëve, por ende nuk ka rezultat konkret

Kryeministri Edi Rama ka thënë se situata e rendit në vend “nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot”, gjatë një lidhje me televizionin Top Channel që ishte shënjestër e një sulmi me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm e që la të vdekur rojën e godinës.

Rama tha se policia është shumë pranë autorëve, teksa shtoi se ende nuk ka një rezultat konkret. I pyetur nëse është politika dhe ai vetë që përmes gjuhës së ashpër ndaj medias, mund të nxisin dhunë, Rama e ka quajtur “dizinformim” i bërë nga gazetarët.

Rama: Motivet e drejtpërdrejta të këtij agresioni kriminal ende nuk i dimë, por fakti që një breshëri plumbash derdhen mbi një institucion kombëtar siç është Top Channel, e bën këtë të lidhur me një institucion të fjalës së lirë, pavarësisht se nuk i dimë motivet ekzakte, policia i është afruar autorëve por ende nuk ka rezultat konkret. Nuk ka sesi një agresion i tillë të mbetet pa u përcaktuar qartë si agresion ndaj një institucioni të pushtetit të katërt.

Si mund të goditet një media si në gjendje lufte?

Rama: Realiteti patjetër që përcaktohet me perceptim por analizohet dhe gjykohet me shifra, rendi nuk ka qenë asnjëherë më mirë sesa sot në aspektin e akteve me pasojë vrasjen apo plagosjen apo pasoja të rënda të kësaj natyre. Sigurisht ka shumë vend për t’u përmirësuar dhe ne do të vazhdojmë të përmirësohemi. Nuk mund të mohoj se këto lloj ngjarjesh, kanë një mënyrë dhe kanë një shfaqje të agresivitetit që i bën shumë të bujshme të zhurmshme dhe shqetësuese.

A duhet të mbajë një lloj përgjegjësie edhe klasa juaj, si dhe ju, kur në momente të caktuara i jeni drejtuar medias, a meriton t’i drejtohet duke thënë kazan, një verb agresiv që mund të japë dhe sinjale për njerëz të tillë të papërgjegjshëm.

Rama: Mëkati i madh i medias, është ai që ju sapo e bëtë, që është dizinformimi.

Kujtojmë se breshëritë e kallashnikovit janë regjistruar në mesnatë drejt godinës së Top Channel në Mëzes, afër shtëpisë së ‘Big Brother’. Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës së televizionit, Pal Kola, 60 vjeç. Pas sulmit, është gjetur një mjet i djegur në Golem që kishte në brendësi dy kallashnikovë dhe dyshohet se aktin e kanë kryer të paktën 3 autorë të cilët janë në kërkim. Krerët e shtetit dhe politikës, gjithashtu edhe organizatat ndërkombëtare që operojnë si vende partnere në Shqipëri kanë shprehur ngushëllimet dhe kanë dënuar aktin. Ende nuk dihet me çfarë motivi autorët qëlluan pa mëshirë me kallashnikov duke e lënë të vdekur në vend punonjësin e sigurisë. Grupi hetimor është fokusuar në dy pista, një prej tyre mund të jetë një mesazh për pronarët e Top Channel, ndërsa një tjetër pistë është edhe një mesazh kundër produksionit të Big Brother. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.