75 Mall Live Search
15:18 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / MSH

Sulmi me thikë në Francë, katër fëmijë në gjendje të rëndë shëndetësore

Gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore pasi janë goditur me thikë sot në një park në Annecy të Francës.

Në mesin e të plagosurve janë katër fëmijë, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të gjithë fëmijët ishin nën përcjellje, por që sulmuesi, sipas autoriteteve, ka synuar fëmijët dhe jo të rriturit.

I dyshuari, një refugjat sirian 46 vjeçar, u qëllua në këmbë nga policia për t’u neutralizuar, dhe më pas u arrestua.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e quajti rastin “sulm frikacak” duke thënë se Franca është e tronditur.

“Kombi është i tronditur. Lutjet tona janë me viktimat si dhe me familjet e tyre dhe shërbimet e urgjencës,” shkroi ai në Twitter.

Në mesin e fëmijëve të lënduar është edhe një britanez, për të cilin konsullorët britanikë në Francë po udhëtojnë drejt Annecy për të ndihmuar familjen e tij.

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly tha se qeveria britanike është e gatshme të mbështesë autoritetet franceze.

“Dhe sigurisht ne qëndrojmë në solidaritet të fortë me popullin francez në këtë kohë të tmerrshme”, shtoi ai.