10:44 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / B O

Sulmi ndaj autobusit të KB Prishtinës, reagim i ashpër nga FBK, ka një kërkesë për Policinë e Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e dënon ashpër incidentin që ka ndodhur mbrëmë para ndeshjes së dytë çerekfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, kur është sulmuar nga persona të panjohur deri më tani, autobusi i skuadrës së Sigal Prishtinës para palestrës “Karagaçi” në Pejë.

“Imazhe të tilla si ajo që ka ndodhur mbrëmë janë të papranueshme për komunitetin e basketbollit, por edhe për sportin në përgjithësi.
Federata e Basketbollit e Kosovës kërkon nga organet e rendit që të bëjnë përpjekje maksimale për të identifikuar këta persona në mënyrë që të tillët të mos kenë më vend në palestrat e sportit në vendin tonë.

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe organizatori i Final 8 Kupës së Kosovës, KB Peja janë zotuar se organizimi i këtij eventi prestigjioz do ta ketë sigurinë më të lartë të mundshme, duke filluar nga ekipet, tifozët e të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë në të.
Federata e Basketbollit e Kosovës, KB Peja dhe organet e rendit në Pejë do të vazhdojnë të garantojnë siguri për të gjithë akterët deri në përmbyllje të këtij eventi” thuhet në reagimin e FBK-së./Indeksonline/