17:27 / E Premte, 31 Gusht 2018 / indeksADMonline

Sulmi ndaj gazetares po hetohet me metoda speciale

Banesa e prindërve të gazetares shqiptare Klodiana Lala u qëllua me dhjetë plumba kur brenda saj ndodheshin dy fëmijët e Klodiana Lalës dhe prindërit e saj. Vetë gazetarja ka shprehur dyshimet se ngjarja ka lidhje me profesionin e saj pasi ajo dhe familja nuk kanë konflikte personale.

Gjersa, sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu është takuar me Kryeprokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj ku temë e diskutimit ka qenë hetimi në lidhje me sulmin me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në orët e para të mëngjesit të 30 gushtit.

Në orët e paradites së sotme, kreu i policisë i shoqëruar edhe nga drejtori i policisë së Tiranës kanë mbërritur në prokurori ku qëndruar për rreth 30 minuta. Gjatë takimit mes zyrtarëve mësohet se është diskutuar në lidhje me hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të së enjtes, 30 shtator 2018.

Gjithashtu informohet se hetimet po kryhen me metoda speciale.

“Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm  hetimor  me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, njofton policia.

Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala.

Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.