17:18 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

Sulmohet zyrtari komunal në Prizren, reagon Haskuka: Tentim për të ndikuar në procedurat e Zyrës së Prokurimit!

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një shkrimi të publikuar në Facebook ka reaguar ndaj sulmit që iu bë zyrtarit komunal nga Zyra e Prokurimit, Nezir Rexhepi.

Haskuka tha se ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit.

Ky është postimi i plotë i Haskukës:

Sot paradite zyrtari komunal nga Zyra e Prokurimit, Nezir Rexhepi, është sulmuar fizikisht nga kuvendari i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimi.

Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit.

Rasti i sulmit të zyrtarit komunal është paraqitur në Polici dhe shpresoj që organet përgjegjëse do të marrin masa të shpejta ndaj këtij akti të dhunës.