13:30 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

Superliga e Kosovës si Bundesliga, 5 zëvendësime për një ndeshje

Bundesliga gjermane është kampionati i parë në Evropë që u rikthye në gara pas pauzës 2-mujore për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Shumë dilema ishin nëse do të rikthehet sivjet futbolli ose gjitha kampionatet do të anulohen ashtu siç bëri Franca, Belgjika, Holanda e Skocia, por pasi disa vende veç morën vendim për t’i vazhduar garat, ishe FIFA ajo që për t’ua lehtësuar punën vendosi që në ndeshjet e mbetura klubet të kenë mundësi për 5 zëvendësime gjatë një ndeshjeje, krejt kjo për t’ua mundësuar për ta përballuar me lehtë presionin pasi futbollistët kanë pauzuar bukur gjatë.

Bundesliga tashmë është duke e aplikuar këtë sistem, por të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Superliga e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për “Zeri.info” kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.

“Po, do të përdorët ky sistem, pra klubet do të kenë të drejtë për t’i bërë 5 zëvendësime gjatë një ndeshjeje dhe për këtë janë të njoftuar edhe gjyqtarët”, ka thënë Hasani, duke shtuar se gjyqtarët janë gati për vazhdimin e garave.

“Sigurisht që kjo pauzë ka sjellë vështirësi edhe te gjyqtarët, por ata e kanë pasur një plan të punës se si të veprojnë gjatë kësaj kohe dhe kanë stërvitur vazhdimisht, kështu që them se janë gati”, përfundoi Përparim Hasani.