11:44 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Supremja reagon për rastin ‘Drenica’, thotë se nuk vendos për lirimet me kusht

Gjykata Supreme ka sqaruar për opinionin se nuk është organ kompetent për të vendosur lidhur me lirimin me kusht të asnjë të dënuari, duke iu referuar grupit ‘Drenica’.

Kjo pasi dje u tha se është bërë padrejtësi ndaj Sylejman Selimit, i cili nuk u lirua nga Gjykata Supreme, por vetëm Jahir Demaku.

Supremka ka sqaruar se është Paneli me Kusht që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor e që vendos për lirimet.

“Gjykata Supreme sqaron opinionin se nuk është kompetente për të vendosur lidhur me lirimin me kusht të asnjë të dënuari. Në rastin e A.D., B.D., D.D., S.D., F.D., J.D., N.D., Z.D., S.S. dhe I.Th, Paneli për Lirim me Kusht, i cili funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka vendosur për lirimin me kusht, të njërit prej të dënuarve”, thuhet në sqarimin e tyre.

Ndërsa, kanë treguar se Supremja vetëm ka hedhur poshtë kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë të parashtruar nga avokatët e të dënuarve.

“ Gjykata Supreme, ka vendosur vetëm për Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë, të parashtruar nga avokatët mbrojtës të të dënuarve në rastin në fjalë. Kjo kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, nga kolegji i Gjykatës Supreme, është refuzuar si e pabazuar. Të bashkëngjitur gjeni aktgjykimin PML 158/2018, i cili është ekspeduar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, me datë 25 tetor 2018”, thuhet mës të tjerash në këtë reagim./Indeksonline/